BM: Moska po ndërton struktura mbrojtëse në Ukrainë dhe Rusi

Ministrisë britanike e Mbrojtjes ka thënë se Moska po ndërton struktura të fuqishme mbrojtëse përgjatë vijës së frontit, në territorin e pushtuar ukrainas dhe gjithashtu në pika në thellësi të territorit rus.

Në përditësimin e saj të fundit të shërbimeve sekrete të kësaj ministrie thuhet se që nga vera e vitit 2022, Rusia ka ndërtuar disa nga sistemet më të gjera të punimeve ushtarake mbrojtëse që janë parë kudo në botë për shumë dekada.

“Imazhet tregojnë se Rusia ka bërë një përpjekje të veçantë për të forcuar kufirin verior të Krimesë së pushtuar, duke përfshirë një zonë mbrojtëse me shumë shtresa pranë fshatit Medvedevka. Qindra kilometra llogore ishin hapur në territorin rus të njohur ndërkombëtarisht, duke përfshirë në rajonet Belgorod dhe Kursk, që kufizohen me Ukrainën”, thuhet aty, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Londra dha dy arsye të mundshme për ndërtimin.

“Mbrojtja nënvizon shqetësimin e thellë të liderëve rusë se Ukraina mund të arrijë një përparim të madh… Megjithatë, disa punime ka të ngjarë të jenë urdhëruar nga komandantët lokalë dhe udhëheqësit civilë në përpjekje për të promovuar narrativën zyrtare se Rusia është kërcënuar nga Ukraina dhe NATO”, tha ministria.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka publikuar përditësime të përditshme mbi luftën që nga shkurti i vitit 2022 kur filloi pushtimi.

Back to top button