Bordi vendos çmimet e reja të karburanteve, ja sa do të shitet nafta, benzina dhe gazi

Për herë të parë pas nisjes së sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, çmimi i naftës në Shqipëri ka zbritur në 198 lekë për litër, gjithësi ende shumë lart nga shkurti kur Moska nisi agresionin ndaj Kievit.
Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Bordit pas analizës së bursës ndërkombëtare, por edhe prej forcimit të euros kundrejt monedhave të huaja.
Edhe benzina këtë të mërkurë do të mund të blihet me 4 lekë më lirë dhe konkretisht 180 lekë litri, ndërsa gazi shkon në 69 lekë.
Kujtojmë se Bordi i Transparencës i ka ndryshuar tre herë çmimet brenda 4 ditëve.
Shqipëria renditet ndër 18 shtetet me çmimin me të shtrenjtë në botë, siç janë vende si Zvicra, Holanda, Danimarka apo dhe Hon Kongu.
Prej muajit mars,vlera e karburanteve në Shqipëri vendoset përmes Bordit të Posaçëm, pjesë e të cilit janë përfaqësues të qeverisë dhe kompanive të eksportit dhe shitjes me pakicë.
Për këtë shkak si dhe prej uljes së shpeshtë të çmimit në tregjet ndërkombëtare, por jo në Shqipëri, vendimmarrja e kësaj strukture është kritikuar me akuzën ëpr eliminim të konkurencës.
Pavarësisht kritikave dhe rëndesës që i shkaktohet buxhetit të familjeve, qeveria nuk pranoi as ndryshimin e kësaj skeme, por po ashtu nuk u tërhoq as nga taksat.
Madje për shkak të rritjes së çmimeve, u shtuan të ardhurat në buxhetin e shtetit prej vjeljes së TVSH, akcizës dhe tatimeve të tjera.
Çmimet e vendosura nga Bordi sot, 7 dhjetor 2022
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil do të jetë jo më shumë se 198 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 186 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë do të jetë jo më shumë se 180 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 168 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 69 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 57 lekë/litër për automjetet.
-Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 104 lekë/litër.
-Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 07 Dhjetor, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes./oranews

Back to top button