Borrell kërkon të hiqen barrikadat në veri: Nuk mund të lejojmë njerëz të armatosur nëpër rrugë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka folur për tensionet në veri të Kosovës, në konferencë për media pas takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE-së.
Borrell ka kërkuar që të largohen barrikadat nga rruga në veri të Mitrovicës.
Ai theksoi se BE-ja nuk mund t’i pranojë barrikadat që bllokojnë rrugët, e njerëz të armatosur.
“Që nga gushti, jemi në një rreth vicioz të konfrontimeve, provokimeve dhe reagimeve, që kanë përshkallëzuar në ditët e fundit, dhe kanë provokuar incidente serioze të sigurisë, përfshirë edhe një sulm ndaj misionit tonë, EULEX-it dhe ndaj Policisë së Kosovës. Barrikadat që bllokojnë rrugët, njerëz të armatosur nëpër rrugë, nuk është diçka që jemi të gatshëm ta pranojmë, nuk pranojmë këtë nga partnerët tanë, që po aspirojnë një të ardhme evropiane. Kjo situatë duhet të mbarojë e barrikadat duhet të largohen. Qetësia duhet të kthehet. Këshilli qartë u ka bërë thirrje të dyja palëve për qetësi dhe frenim nga veprimet e dhunshme e provokative. I kam kërkuar shteteve anëtare që të jenë të gatshme të dërgojnë më tepër njësite në misionin tonë të EULEX-it. E shumë nga to janë pajtuar e kanë shprehur gatishmëri për të rritur kapacitetet nëse është e nevojshme”, ka thënë Borrell.
Për të tretën ditë me radhë veriu i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar nga qytetarë serbë, që kanë ndaluar plotësisht qarkullimin nga Zveçani në Mitrovicën e Veriut. Barrikadat janë vendosur kryesisht me kamionë dhe autobusë. Vendkalimet Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës janë ende të mbyllura për qarkullimin e makinave dhe të qytetarëve. Gjendja aktualisht paraqitet e qetë, por me tensione.
Përtej barrikadave të vendosura në Zveçan, persona të maskuar janë parë nga ekipi i Televizionit 21 gjatë ditës duke qarkulluar në këtë pjesë. Identiteti i personave të maskuar nuk është bërë i njohur dhe as detyrat që ata kryejnë./21Media

Back to top button