Borrell: Kosova dhe Serbia pajtohen për targat e makinave

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me targat në bisedimet ndërmjet kryenegociatorëve të të dy vendeve.
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi zoti Borrell.
“Serbia do të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm, mbi propozimin e paraqitur në muajin shtator nga ndërmjetësuesi i BE-së dhe të mbështetur nga Franca dhe Gjermania”, thuhet në një deklaratë të zotit Borrell, në të cilën nënvizohet se “BE-ja do të sigurohet që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit. Palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”.
Marrëveshja e së mërkurës pasoi një takim prej disa orësh ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç në Bruksel, me ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për bisedimet ndërmjet të dy vendeve, Miroslav Lajçak.
Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë u arrit disa orës para skadimit të shtyrjes prej 48 orësh të vendimit të qeverisë së Kosovës për gjobitjen e atyre që nuk i kanë ndërruar targat e makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës. Shtyrja u bë me kërkesën amerikane për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Back to top button