Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka pritur sot në raportim Ministren e Finacave, Hykmete Bajrami dhe zyrtarë nga Thesari i Shtetit, rreth skandalit të vjedhjes së dy milionë eurove.

Medije Musliu, zëvendësdrejtore e përgjithshme për operime në Thesar, ka thënë se transferi nuk është kryer për tetë minuta siç është raportuar në media, por për afro një orë.

Musliu ka sqaruar se i tërë procesi i këtij skandali është kryer në kohën e pauzës në këtë institucion.

“Janë nxjerr raportet nga sistemet elektronike të cilat tregojnë se transaksionet kanë filluar diku rreth orës 11:44 ose 11:48, nuk po e di tash saktë dhe procesi i fundit i certifikimit ka ndodh diku rreth orës 12:48, pra nuk është ashtu siç është spekuluar në media se transferimi i parave ka ndodhur për tetë minuta. Këto janë kryer në kohën e pauzës. Ky proces ka zgjatur prej krijimit të “ userit” e deri në fund. Sa i përket krijimit të “userave” nuk ka pasur asnjë problem nga kryersi i veprës, kjo për shkak të përvojës së tij”, tha ajo.

Labinot Gruda, punëtor i Thesarit të Kosovës dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme. Gruda është arrestuar të martën e javës se kaluar.

I dyshuri tjetër për skandalin e vjedhjes së dy milionë eurove, Kadri Shala është vetë-dorëzuar në Policië e Kosovës, pasi i njëjti ndodhej në Turqi./kallxo.com