Britania kërkon që Kosova dhe Serbia të ndalin “ciklin e krizave të rrezikshme”

dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach gjatë vizitës së djeshme në Kosovë apeloi për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.
Peach u takua me krerët e shtetit presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Gjatë vizitës ai mirëpriti përpjekjet për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe inkurajoi riintegrimin e serbëve të Kosovës në institucionet kosovare. Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të thyejnë ciklin e krizave dhe retorikës së rrezikshme dhe të punojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit.”, thuhet në njoftimin e ambasadës Britanike në Kosovë.
Osmani gjatë takimit me Peach shfaqi disa kërkesa. Teksa e ka njoftuar për zhvillimet e fundit në vend, Lordin Peach, Osmani ka theksuar se Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, porse pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu.
Në këtë frymë, sipas një komunikate për media Osmani ka kërkuar që ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, bashkësia ndërkombëtare ta mbajë një qëndrim unik duke dënuar veprime e tilla dhe duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori.
Sipas Presidentes, në veriun e Kosovës, sfidimi i rendit ligjor dhe juridik po ndodh nga banda kriminale të armatosura, të dirigjuara nga lidershipi i Serbisë, të cilat ndodhen në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.
Ndërsa Peach me Kurtin diskutuan për sfidat me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeminiterit, Kurti dhe Lord Peach diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mundësitë e reja përgjatë vitit 2023. Kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe rëndësinë e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Republikën e Kosovës, sidomos në fushën e sigurisë.
Stuart Peach është emëruar i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit 2021./21Media

Back to top button