Britania shton edhe 22 zyrtarë rusë në listën e sanksioneve

Mbretëria e Bashkuar ka sanksionuar 22 zyrtarë të tjerë rusë për ndihmën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, njoftoi të mërkurën Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.
Në total, Londra tani ka sanksionuar më shumë se 1200 individë dhe 120 subjekte lidhur me pushtimin e Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Paketa e re e sanksioneve përfshin zëvendëskryeministrin Denis Valentinovich Manturov, i cili, sipas njoftimit për shtyp, “është përgjegjës për mbikëqyrjen e industrisë ruse të armëve dhe përgjegjës për pajisjen e trupave të mobilizuara”.
Dhjetë guvernatorët dhe udhëheqësit rajonalë janë sanksionuar gjithashtu, duke përfshirë krerët e “disa prej republikave më të varfra etnike të Rusisë”, Dagestan, Ingushetia dhe Kalmykia, “nga të cilat janë tërhequr një numër i konsiderueshëm i rekrutëve”, tha Zyra e Jashtme.
Arkady Gostev, drejtor i Shërbimit Federal të Ndëshkimit të Federatës Ruse dhe Dmitry Bezrukikh, kreu i Shërbimit Federal të Ndëshkimit të rajonit të Rostovit, janë sanksionuar gjithashtu.
Sipas njoftimit, Gostev dhe Bezrukikh thuhet se kanë bashkëpunuar ngushtë me Yevgeny Prigozhin, kreun e Grupit Wagner, një grup ushtarak privat rus që ka qenë i përfshirë shumë në luftimet në Ukrainë.
Ella Pamfilova, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Andrey Burov, kreu i komisionit rajonal zgjedhor në Rostov, janë sanksionuar gjithashtu. Ata të dy ishin përgjegjës për organizimin e referendumeve “të rreme” në katër zonat e pushtuara përkohësisht të Ukrainës, sipas njoftimit për shtyp.
“Ne kemi sanksionuar individë që kanë zbatuar këtë rekrutim, duke dërguar mijëra qytetarë rusë për të luftuar në luftën e paligjshme dhe të neveritshme të Putinit,” tha Cleverly, siç citohet në njoftimin për shtyp.
“Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përdorë sanksione dhe ndihmë ushtarake për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen e pavarësisë së saj”, shtoi ai./21Media

Back to top button