BSPK me 5 kërkesa për të drejtat e punëtorëve

 

Shoqata  Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në prag të Ditës Ndërkombëtare të Punës, 1 Maj, i’u ka adresuar për zgjidhje institucioneve në vend pesë kërkesa për të drejtat e punëtorëve, Marrëveshjen kolektive, pagën minimale, sigurimin shëndetësor, skema pensionale dhe ligji për pagat.

Në konferencën e BSPK-së kryetari i saj, Avni Ajdini tha se përkundër shkeljeve drastike të drejtave të punëtorëve, për shkak të masave kufizuese për mbrojtje nga Covid-19 e kanë të pamundur të organizojnë protestë nesër në Prishtinë për të drejtat e punëtorëve me 1 maj.

“Të drejtat e punëtorëve po vazhdojnë të shkelen në mënyrë drastike, por për fat të keq për shkak të pandemisë nuk mund të organizojmë nesër ndonjë aktivitet për protesta. Edhe pse qeveria e kaluar na pati premtuar zbatimin e kërkesave tona, fatkeqësisht ato janë realizuar pjesërisht. Kemi bërë kërkesë për pesë pika fundamentale, një ndër to e cila nuk po arrin të nënshkruhet është kontrata kolektive”, tha Ajdini.

Ai ka kërkuar nga Qeveria aktuale që t’i marrë këto kërkesa seriozisht dhe një ditë të nënshkruhet Kontrata Kolektive, sepse janë të cenuara të drejtat e punëtorëve.

Po ashtu Ajdini shprehi shqetësimin e tij për punëtorët që nuk po arrin të marrin pensionin e plotë për shkak të kufizimit të përvojës së punës me 15 vjet.

BSPK ka kërkuar të përmbushet marrëveshja për pagën minimale 250 euro, që sipas tij, për fat të keq kjo ka mbetur vetëm në letër.

Ajdini tha se tash e një muaj ka kërkuar takim me kryeministrin Albin Kurti, por ende siç tha ai nuk ka reflektuar për premtimin e tij në fushatë për pagën minimale 250 euro.

Për arsye të pandemisë Covid-19, papunësia sipas Ajdinit ka shënuar rritje nga 33 në mbi 40 përqind.

Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jashari ka shprehur shqetësimet e tij se edhe në këtë 1 Maj punëtorët i gjen me vështirësi të mëdha dhe mbeten të sfiduar për kushtet e punës. Ai ngrit edhe mungesën e mbrojtjes shëndetësore në këtë kohë.

Back to top button