Kaloni te përmbajtja kryesore

​Bugaqku: Në seancën e sotme u zbatua ajo çka kërkoi Kushtetuesja

Hulumtuesi i Instituti Demokratik i Kosovës, Vullnet Bugaqku vlerëson se në seancën e sotme konstituive të Kuvendit u zbatuan kërkesat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë votimin e hapur dhe propozimin e kandidatit për kryetar nga grupi më i madh parlamentar.

Megjithatë, ai theksoi se zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit nuk ndodhi, duke lënë procesin të pa përmbyllur, raporton KosovaPress.

“E mira është që u zbatua ajo çka kërkoi Gjykata Kushtetuese që procesi të kthehet me votim të hapur që grupi më i madh parlamentar të propozojë kandidat për kryetar Kuvendi, si e vlerësojnë ata që duhet propozohet më tutje. Dhe këto dy procese ndodhën, u përmbush një pjesë e aktgjykimit sa i përket çështjes së procedurës së administrimit të seancës konstituive. Pra, pati votim të hapur dhe patëm propozime për kryetar të Kuvendit të ofruar nga grupi më i madh parlamentar ashtu siç e kërkojnë standardet kushtetuese. Çka nuk ndodhi? Nuk ndodhi zgjedhje e kryetarit të Kuvendit”, tha ai.

Në vazhdimin e seancës konstituive partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, por nuk kaloi asnjëra prej tyre.

Sipas Bugaqkut, Haxhiu dhe Gërvalla mund të ri-kandidohen në vazhdim për kryekuvendare pasi këtë të drejtë ua jep aktgjykimi i Kushtetueses sipas të cilit një kandidatë mund të votohet deri në tri herë.

Hulumtuesi i KDI-së thotë se mungesa e katër deputetëve në seancën konstituive si dhe mos pjesëmarrje në votim e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi kur u hodh në votim emri i Donika Gërvallës përbëjnë mos zbatim të aktvendimit të Kushtetueses, i cili u bë publik këtë të hënë.

“Përderisa njëherë është konsumuar në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës mundet që edhe dy hera të tjera të konsumohen këto dy kandidaturat e njëjta. Përndryshe, si proces seanca në tërësi si seancë pati kuorum, pati vendimmarrje, pati votë të deputetëve megjithatë nuk u votua një pjesë e urdhrit të Gjykatës sa i përket pjesëmarrjes në seancë pasi pamë që brenda seancës ishin të pranishëm gjithsej 116 deputetë, pra munguan edhe katër deputetë dhe mund të themi se këta katër deputetë nuk e zbatuan aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mund të themi se një deputete që nuk votoi, nuk e zbatoi urdhrin e Gjykatës që të votojë qoftë pro, kundër apo të abstenojë”, shprehet Bugaqku.

Vullnet Bugaqku nga Instituti i Kosovës për Drejtësi beson që mungesa e numrave për të themeluar Qeverinë e Kosovës e ka zvarritur edhe konstituimin e Kuvendit.

“Kjo bllokadë politike dhe kushtetuese dhe procedural që kemi pasur të Kuvendit, edhe mungesa e konstituimit të Kuvendit është për shkak të mungesës së numrave për të themeluar Qeverinë e Kosovës. Pra, mendoj se partia fituese në pamundësi të shumicës së qëndrueshme parlamentare do të votonte edhe një qeveri stabile, atëherë mund të themi se e ka zvarritur konstituimi i Kuvendit”, theksoi ai.

Pas tri javësh, sot deputetët e zgjedhur u mblodhën në vazhdimin e seancës konstituive. Ashtu siç kërkoi aktgjykimi i Kushtetueses, votimi për kryekuvendar u bë i hapur, dhe Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, por asnjëra nuk mori 61 votat e nevojshme.

Pas këtyre dy dështimeve kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari e ndërpreu seancën, e cila do të vazhdojë ditën e premte, nga ora 11:00.

Të hënën Gjykata Kushtetuese e publikoi aktvendimin për ngërçin politik, i cili përcakton një afat 30-ditorë për konstituimin e legjislacionit të nëntë. Sipas po këtij aktgjykimi një kandidat apo kandidate nuk mund të votohet më shumë se tri herë.

Kosova më 9 shkurt të këtij viti mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button