Bulliqi pas vrasjes së 18-vjeçarit: Kemi angazhuar policë civilë nëpër shkolla
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi sot në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri ka thënë se institucionet lokale po bashkëpunojnë për të ulur numrin e rasteve kriminale në Podujevë, duke shtuar se vrasja e 18-vjeçarit ishte tragjike.
Ai ka thënë se janë angazhuar zyrtarë policorë në rroba civile që të përcjellin situatën brenda shkollave, me qëllim që të eliminohen veprat e tilla.
“Rasti i vrasjes së Lulzim Fejzullahut dhe përfshirja në këtë rast e njërit prej nxënësve të Gjimnazit ‘Aleksandër Xhuvani’, na bëri të shqetësohemi dhe të shohim mundësinë e të diskutojmë me anëtarët e Këshillit për të marrë informacione më të detajuara të kësaj problematike. Sigurisht, të shohim për hapat që do t’i ndërmarrim nga këto institucione që raste të tilla të mos ndodhin më në qytetin tonë. Kemi siguruar zyrtarë policorë në rroba civile për të përcjellë situatën dhe gjendjen në shkolla, në veçanti në tri shkolla kryesore”, ka thënë Bulliqi.