Bulliqi: Për keqardhje rezultati i LDK-së

Bulliqi ka treguar se pse LDK ka pësuar rënie

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari i LDK-së, Shpejtim Bulliqi thotë se është për keqardhje rezultati i Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit.

Bulliqi në një intervistë për Kp theksoi se kjo situatë e krijuar në LDK është për shkak se elektorati e ka ndëshkuar këtë parti, sepse ka qenë në koalicion me PDK-në dhe janë përjashtuar nga lista për deputetë, njerëzit e çmuar të LDK-së. “Me të thënë të drejtën është një rezultat për keqardhje për Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse faktikisht nga krejt ky proces duket se LDK del ndoshta prej subjekteve më të dëmtuara. Dhe kjo sipas mendimit tim është një hakmarrje sipas elektoratit të LDK-së për faktin që ne në njëfarë forme pa marr fare pëlqimin e tyre kemi bërë një koalicion të ngutshëm në mandatin i cili kaloi me PDK-në. Në njëfarë forme në shenjë revolte nga krejt këto veprime të papërgjegjshme të menaxhmentit të LDK-së ose strukturave udhëheqëse të saj faktikisht ka rezultuar edhe ky rezultat, i cili është një rezultat për të ardhur keq si subjekt politik. Si subjekt i cili ka dhënë shumë mund për Kosovën , i cili ka qenë prej partive më serioze , më institucionale deri më sot dhe faktikisht po del që gradualisht LDK-ja me këtë strukturë udhëheqëse veç kaloi në pozicionin e tretë në vendet tërheqëse të subjekteve politike të radhitura në nivel qendror në Republikën e Kosovës”, tha Bulliqi.

Bulliqi shprehet se rezultati zgjedhor nuk i jep hapësirë shumë të madhe pothuajse asnjë subjekti politik për të mundur ta krijojnë shpejt Qeverinë e ardhshme. Sipas tij, nga këto zgjedhje nuk është që vetëm LDK-ja ka pasur rënie, sepse po del që edhe PDK-në elektorati i saj e ka sanksionuar për shkak të atij koalicioni që është bërë me LDK dhe në njëfarë forme është një rezultat që është relativisht vështirë për ta dhënë një konkludim se si do të përfundojë i tërë ky proces.

Bulliqi është shprehur se LDK-ja nuk duhet të bëjë më koalicion me PDK-në ngase do të ishte vdekjeprurës për këtë parti. Sipas tij, më e shëndetshme është që të LDK të rrijë në opozitë.“Janë pothuajse tri variante për LDK-në, faktikisht varianti i parë i cili për mua nuk është variant që sërish dy subjektet e mëdha të bëhen në koalicion, që për mendimin tim do të ishte vdekjeprurës për LDK-në dhe procesin e mëtejmë të zhvillimit të saj. Subjekti i dytë politik që faktikisht doli fitimtar në këtë proces të zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje faktikisht është si subjekt i dytë dhe në rast që nuk do të ketë mundësi që subjekti i parë të bëjë një gjë të tillë dmth në kushte normale do të duhet që t’i ofrohet mundësia subjektit të dytë me të cilin LDK në njëfarë forme do të ketë mundësi të ofrohet, por mendoj se prapë nuk do të jetë një rezultat i kënaqshëm për LDK-në dhe elektoratin e saj. Prandaj unë them që LDK me mijëra të mira në këtë proces do të ishte që të bëjë punë në ndihmën e krijimit të institucioneve të reja të vendit që në një farë forme të mbetet si parti opozitare dhe të ulet qetësisht në strukturat e veta , t’i analizojë krejt këto lëshime, krejt këto punë që janë bërë , krejt këto probleme që janë shkaktuar ta gjej faktorin dhe shkaktarin kryesor të krejt këtyre defekteve , ta mënjanojë atë shkaktar dhe në njëfarë forme të fillojë të këndellet dhe të fillojë punën me strukturat legale të saj në terren për me mujt me rikuperu për zgjedhjet lokale të cilat dihet që janë në vjeshtën e këtij viti”, theksoi Bulliqi.

Bulliqi thotë se përjashtimi i tij, i Fatmir Rexhepit, i Adem Salihajt dhe i Hatim Baxhakut nga lista për deputetë ka shkaktuar përmbysjen e LDK –së në Gjilan, Ferizajt dhe fitoren e zbehtë në Podujevë. Duke i marr parasysh krejt këto ndryshime, krejt këto defekte në menaxhimin e LDK-së, Bulliqi mendon që është momenti që të lihen fjalët dhe diskutimet publike, por të thirret Këshilli i përgjithshëm dhe të zhbllokohet nga individët të cilët në njëfarë forme e kanë uzurpuar LDK.

Sipas tij, këta uzurpatorë LDK-në e shohin vetëm si një institucion nga i cili realizojnë të mira dhe interesa dhe assesi si një institucion që duhet përparuar dhe të shkojë përpara. Bulliqi tha se LDK-së po dëshirojnë t’ia ndërrojnë edhe identitetin.

Ai ka ripërsëritur se ka pas kërkesë pothuajse nga të gjitha subjektet politike që të jetë pjesë e listës së tyre , por deklaroi se nuk ka dashur, sepse është interesuar që të punohet dhe të reformohet LDK , deri në fazën dhe shkallën kur të krijohen kushte që të punohet. Mirëpo, sipas Bullliqit në qoftë se do t’i mbyllen të gjitha rrugët dhe nuk do të ketë asnjë mundësi tjetër në LDK, atëherë thotë se duhet ta shikojë situatën dhe ta analizojë procesin se çka tutje, edhe pse nuk ka asnjë preferencë. Bulliqi tha se në LDK-në nuk ka qëndruar pse ka realizuar interesat e tij në LDK, por sipas tij, ka qëndruar sepse ka dhënë një kontribut dhe ka aksione përmes 27 vite në këtë subjekt.

Back to top button