Burg për djalin që sulmoi fizikisht babain
Gjykata Themelore në Ferizaj, ka dënuar me një vit burg të pandehurin me inicialet R. R i cili sulmoi fizikisht babain e tij Sh.R.
“Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgim efektiv në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muaj”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Gjykata tutje ka njoftuar se R.R i shqipton edhe dënim plotësues, Masën e Trajtimit të Detyrueshëm Psikiatrik – Ambulator, kjo masë ekzekutohet brenda një viti dhe kryhet brenda kohës së dënimit të shqiptuar.
Sipas komunikatës për media, i pandehuri akuzohet më 18 tetor 2021, rreth orës 08:00, në rrugën “Kruja” në Ferizaj, saktësisht në shtëpinë e tyre, në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore, me dashje ka përdorur forcën fizike ndaj të dëmtuarit prindit të tij, Sh. R., në atë mënyrë që i pandehuri me të zgjuar nga gjumi fillon të bëjë zhurmë, dhe me atë rast me të dëgjuar i dëmtuari del në korridor për të shikuar se çfarë është duke ndodhur, në atë moment i pandehuri e sulmon fizikisht të dëmtuarin duke e kap për fyti, mirëpo aty reagon motra e tij dhe arrin të largohet i pandehuri.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt./21Media