Bushati: Sulmi i 24 shtatorit kambanë e fortë alarmi

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka kritikuar se në Shqipëri ende politika nuk gjen gjuhë të përbashkët për ta miratuar një rezolutë për dënimin e sulmit terrorist në Banjskë të Kosovës më 24 shtator.

Bushati, ka thënë se bota demokratike, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, me të drejtë ka dënuar sulmi terrorist të Hamasit të shtunën kundër Izraelit.

Por, tha se në spektrin politik të Shqipërisë nuk po arrihet një unitet edhe për ta dënuar sulmin ndaj Kosovës më 24 shtator.

“Ndërkohë që kanë kaluar dy javë prej sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë, të njëjtët krahë të politikës nuk gjejnë ende gjuhën e përbashkët për miratimin e një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, për dënimin e sulmit terrorist ndaj Kosovës dhe denoncimin me emër të inspiruesve dhe autorëve të sulmit, të cilët, i morën jetën në krye të detyrës policit Afrim Bunjaku. Në memorien time do të mbetet gjithnjë e pashlyer seanca e Kuvendit të Shqipërisë, e 22 korrikut 2010. Teksa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpallte në mënyrë solemne vendimin e saj për përputhshmërinë me të drejtën ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, në Kuvendin e Shqipërisë u shfaq një ekran i madh, ku deputetët pa përjashtim ndoqën me emocion seancën maratonë të Gjykatës së Hagës. Nuk kishte ngjarje më të rëndësishme për kombin. Ndaj, seanca parlamentare e 22 korrikut 2010 ishte në lartësinë që kërkonte ndërgjegjja kombëtare. Politika shqiptare dëshmoi dinjitet. Nuk kishte kalendar, program apo agjendë parlamentare të planfikuar që mund ta konkurronte atë ngjarje historike. Simbolika e seancës parlamentare ishte e qartë: çështja kombëtare ka përparësi ndaj politikës të ditës”, ka shkruar Bushati në Facebook.

Bushati ka thënë se “s’mund të lejohet që mungesa e vendosmërisë nga ana e Shqipërisë të trimërojë apo nxisë shtete ose grupime që kërkojnë zhbërjen e Kosovës”. Ai tha se sjellja e Serbisë ndaj Kosovës më nuk është çështje politike, por është çështje serioze e sigurisë për rajoni dhe për të ardhmen evropiane.

Back to top button