Bushi: Të gjithë që flasin shqip duan ta përfaqësojnë flamurin kuqezi

Së fundmi po qarkullojnë polemika të shumta sa i përket ftesave që Kombëtarja e Shqipërisë në grupmoshat e reja, po i bënë drejt futbollistëve të rinj kosovarë.
Rastet më të fundit ishin ai i Medon Berishës dhe Adrion Pajazitit, të cilët braktisën Kosovën U21 vetëm për t’iu bashkuar Shqipërisë.
Trajneri i Kosovës U21, Afrim Tovërlani kishte reaguar në lidhje me këtë rast, duke thënë se futbollistët kanë filluar të zgjedhin kur nuk aktivizohen në lojë, dhe se kjo veti e krijuar nuk është e mirë.
Më tej, Tovërlani kishte thënë se në momentin që këta futbollistë po janë në bankën e rezervistëve, ata po gjejnë arsye duke thënë “jo unë po shkoj te Shqipëria”.
Tani, deklaratave të Tovërlanit iu është përgjigjur trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në grupmoshat U20, Alban Bushi, i cili tha se ai ka ftuar lojtarë shqiptarë dhe jo të Kosovës.
“Unë kam marrë lojtarë shqiptarë, jo lojtarë të Kosovës. Unë mendoj që si Kosova si Shqipëria është njësoj, dhe çdo kush që flet shqip sot në botë, ne jemi të detyruar në qoftë se lojtari është cilësorë për ta ftuar në ekipin kombëtar. Pastaj është zgjedhja e lojtarit, nëse e zgjedh Kosovën apo na zgjedh ne”, tha Bushi.
Më tej, trajneri Bushi tha se kjo gjë nuk paraqet ndonjë problem për të, pasi që të gjithë që flasin shqip duan ta përfaqësojnë flamurin kuqezi.
“Nuk shoh të përbëjë ndonjë problem të madh. Ka pasur lojtarë të Kosovës që kanë luajtur me Shqipërinë që përfaqësojnë Kosovën, dhe lojtarë të Kosovës që përfaqësojnë Kosovën dhe kanë luajtur për Shqipërinë. Kështu që nuk shoh asnjë lloj problemi në këtë aspekt, më duket pak e habitshme sepse të gjithë flasin shqip dhe të gjithë duan të përfaqësojnë flamurin kuqezi”, tha më tej Bushi.

Back to top button