Kultura dhe arti ka humbur njërin ndër yjet e mëdhenj!

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku sot ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së artistit të njohur, Rasim Thaçi-Cima. Ministri është shprehur se ndarja nga jeta e Rasim Thaçit, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por për të gjithë. Sipas Çekut, kultura dhe arti shqiptar ka humbur njërin ndër yjet e tij më të mëdha, i cili me talentin e tij ka depërtuar thellë në kujtesën tonë. “Me përkushtimin e tij të pashoq, arriti të krijojë aq shumë role sa nuk mund të numërohen dot. Ai ka qenë një model i një artisti i cili është një shkollë dhe frymëzim për artistët tjerë. Ai veproi dhe nuk u ndal edhe në kohët më të vështira nëpër të cilët kaloi populli shqiptar i Kosovës, duke treguar dashurinë që kishte ai për popullin e tij dhe guximin për idealet tona. Rasim Thaçi la pas vetës një korpus të madh të krijimtarisë dhe kjo do të mbetet një gjurmë e pashlyer në kulturën dhe artin tonë. Ne do ta kujtomë me pietet veprën dhe krijimtarinë e tij. Ngushëllime familjes, miqve, kolegëve e të gjithë dashamirëve të Rasim Thaçit.”, është bërë e ditur në telegramin e ngushëllimit të ministrit Çeku. Aktori Rasim Thaçi-Cima ka vdekur në moshën 71 vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e aktorit. Ai ka disa ditë që ishte duke vuajtur nga Covid-19 dhe ishte i shtrirë në Klinikën infektive. Rasim Thaçi, i cili njihet si Cima do të mbetet në kujtesën e publikut për rolet e tij të shumta komike. Familja Thaçi sot ka bërë të ditur se varrimi i aktorit do të bëhet nesër në fshatin e lindjes, në Vukovc, në orën 13:00./21Media

Back to top button