Caktohet burgimi i të pandehurit që keqpërdori paratë e kolegjit

 
Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.F.  për shkak të veprës penale shpërdorimi i pasurisë së huaj.
Siq është bërë e ditur në komunikatë gjyqtari individual i Divizionit Penal Habib Zeqiri, pas mbajtjes së seancës dhe pas pranimit të fajësisë nga i pandehuri për veprën penale si në aktakuzë, i njëjti është shpallur fajtor dhe është gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 8 muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë 1.000 euro.
”Përmes këtij aktgjykimi i pandehuri obligohet që në afat prej gjashtëdhjetë 60 ditëve, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në emër të kërkesës pasurore juridike t’i paguaj të dëmtuarës Kolegjit në Ferizaj shumën e të hollave në lartësi prej 215.958.54”, është bërë e ditur në komunikatë.
Ndërkaq, në komunikatë theksohet se ”i pandehuri akuzohet se në vazhdimësi nga data 25 janar 2019 deri më 27 shtator 2019,dhe nga 6 janar 2020 deri më 19 tetor 2020 në një Kolegj në Ferizaj,  me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, e përvetëson pasurinë e cila i është besuar, në atë mënyre që duke qenë transportues i parave nga arka deri ne bankë dhe nga arka 4/F në Kolegj në Ferizaj, ka pranuar të hollat çdo ditë të cilat në disa data të caktuara nuk i ka dorëzuar në bankë në tërësi shuma e parave që nuk janë dorëzuar është 215.958.54 €”.
Ndërkaq kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt./21Media

Back to top button