Çantat e rënda, tri shkolla në kryeqytet bëhen me dollapë metalikë

Problemi i çantave të rënda të fëmijëve të cilklit të ulët fillor duket se më në fund po merr një zgjidhje në kryeqytet. Kjo pasi Komuna e Prishtinës ka filluar të vendosë dollapët prej metali në shkollat e kryeqytetit, ndërkohë që, synon që brenda mandatit katërvjecar të përfshijë të gjitha shkollat.
Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati ka thënë  se këta dollapë do të jenë mjaft efektivë për nxënësit dhe se ata më nuk kanë nevojë që t’i bartin me vete çantat.
Sipas saj, komuna ka investuar në cilësi të dollapëve, të cilët janë metalikë dhe mbyllen me çelës dhe kostoja e tyre është më e lartë se dollapët e tjerë.
“Deri më tani kemi pajisur dy prej shkollave më të mëdha të Prishtinës me dollap, edhe një shkollë tjetër ‘Naim Frashëri’, ‘Ismail Qemaili’ dhe shkollën ‘Hasan Prishtina’, ndërsa pritet gjatë këtij mandati të pajisim të gjitha shkollat me dollapë metalikë të cilat shërbejnë për nxënësit e klasës 1 deri 5… Kjo është efektive pasi që kemi pasur kërkesa prej prindërve të Prishtinës që kanë pasur telashe shumë të mëdha, sepse çantat e tyre kanë qenë të rënda. Sipas një studimi që e ka bërë shkolla ‘Elena Gjika’, çanta e një nxënësi të klasës së parë deri në klasën e pestë ka peshu mesatarisht 4,5 kilogramë, kjo është mbi mesataren e rekomanduar të peshës që mund ta mbajë në krahë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe kjo ka shkaktu shumë probleme shëndetësore tek fëmijët siç është dëmtimi i boshtit kurrizor”, ka thënë Musmurati.
Një investim të tillë e kanë mirëpritur prindërit e nxënësve dhe vetë nxënësit.
Dollapët e metalit sipas prindit Ardit Krasniqi, ishin shumë të nevojshëm.
“Vendimi ka qenë shumë i duhur, realisht ka pasur nevojë edhe më herët për dollapë. Ka pas nevojë edhe për gjeneratat e mëhershme, tash duke e marrë parasysh që tash i kemi fëmijët pesha shumë e rëndë dhe ka qenë shumë e nevojshme… Janë disa libra që i duhen vetëm për klasë, ato libra nuk i marrin, zakonisht i vendosnin në dollapët që kanë qenë më herët, realisht numri i tyre nuk ka qenë i mjaftueshëm për të gjithë nxënësit dhe janë detyru dy nxënës me vendosë librat në një dollap”, ka deklaruar Krasniqi.
Nxënësja e klasës së pestë në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë, Erëza Dushullovci ka thënë se pesha e çantës ka qenë shumë e madhe dhe se kanë pasur dhimbje të shpinës dhe të krahëve.
“Po ne jemi shumë të kënaqur, sepse ne gjithmonë i kemi bartur shumë libra dhe jemi anku gjithmonë, nga shpina sepse gjithmonë kemi pas dhimbje shpine, për shkak të çantës sepse ka pasur shumë libra”, ka thënë ajo.
Të njëjtin problem e ka pasur edhe nxënësi i klasës së pestë, Aris Abazi, për çka është shprehur se ka pasur edhe ndezje të muskujve nga pesha e rëndë.
“Unë jam shumë i kënaqur sepse ne tani mund t’i vendosim ato në dollapë, që kur shkojmë në shtëpi të mos kemi shumë ngarkesa me vete. Kam pasur dhimbje të krahëve, si ndezje të muskujve për shkak të çantës”, ka thënë ai.
Me dollapët metalikë deri më tani janë pajisur tri shkolla fillore në kryeqytet: “Ismail Qemajli”, ”Naim Frashëri” dhe “Hasan Prishtina”, ndërkohë që, pritet që edhe shkollat e tjera të furnizohen njëjtë./kp

Back to top button