CEFTA dhe Procesi i Berlinit-Qeveria pret të gjendet një zgjidhje

Qeveria e Gjermanisë dhe ajo e Kosovës po vazhdojnë diskutimet në lidhje me masën që pengon lëvizjen e lirë të mallrave nga shtetet anëtare të marrëveshjes CEFTA, konkretisht nga Serbia. Kështu tha ambasada e Gjermanisë në Kosovës. Qeveria e Kosovës ndërkaq nuk bëri të ditur nëse do të heq masën e sigurisë për mallrat serbe para Samitit të procesit të Berlinit. Por përfaqësues të partisë në pushtet, thonë se janë duke punuar në drejtim të gjetjes së një zgjidhje për këtë çështje, teksa theksojnë se siguria mbetët primare.

Ka mbetur edhe pak kohë deri në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit i cili do të mbahet më 14 tetor në Berlin të Gjermanisë dhe ende nuk dihet nëse Kosova do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së faktorit ndërkombëtar për zhbllokim të masave ndaj importit të Serbisë në kuadër të CEFTA-s, si parakusht për integrim në nismat rajonale tregtare.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë tha se diskutimet e Qeverisë së Gjermanisë me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje janë duke vazhduar, pa dhënë detaje nëse kanë arritur ndonjë përafrim qëndrimesh.

“Aktualisht ambasada mund vetëm të deklarojë se bisedat në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë janë duke vazhduar”, tha Ambasada gjermane.

Qeveria e Kosovës ndërkaq nuk dha ndonjë përgjigje nëse do të heq masën e sigurisë ndaj mallrave serbe para Samitit të Procesit të Berlinit, por përfaqësues të pushtetit thonë se zgjidhja për këtë çështje është në proces e sipër. Shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se prioritet për Qeverinë është siguria në vend, derisa shton se Procesi i Berlinit është interes strategjik i Kosovës.

“Zgjidhja nga ky problem gjegjësisht nga kjo kërkesë dhe nga situata e krijuar me vendosjen e masave te sigurisë nga ana e Kosovës është vendosja e skanerëve apo pajisja me skaner të cilët janë gjendje të bëjë. Skenim te shpejtë të maunave kamionëve që hyjnë Dhe natyrisht të evitohet rreziku që ekzistuar ne raport me kontrabandimin. Para të gjitha kërkesave apo raporteve tregtare për të diskutuar është çështja e sigurisë së vendit e cila është top prioritet, jo vetëm për Kosovën por secilin shtet. Zgjidhja është në proces për t’u gjetur sepse janë tre skenër në procedurë për t’u siguruar tashmë kur do jenë ato institucionet relevante … CEFTA ka pasur ngecje të vazhdueshme në zbatim e tek Procesi i Berlinit kemi interesin strategjik të jemi pjesë dhe kemi kontribuar maksimalisht dhe vazhdojmë të jemi të besimit se është procesi më i duhur për vendet e BB para integrimit ne BE”, tha Kusari-lila për rtv21.

Zyrtarë të lartë gjermanë, të angazhuar për Ballkanin, kanë paralajmëruar se Kosova mund të përjashtohet nga nismat rajonale tregtare, nëse vazhdon të ngulë këmbë në ndalesën që zbaton ndaj importit të mallrave nga Serbia, dhe rrjedhimisht, siç vlerësojnë ata, shkel parimet e CEFTA-s.

Opozita ndërkaq thotë se veprimet e qeverisë në këtë drejtim duhet të jenë të matura.

“Veprimet qe duhet te ndërmerren ne raport me interesat e vendit ne raport me ndërkombëtaret duhet të jenë të matura ne s’kemi Mundësi as te anëtarësohemi as të përjashtojmë vetën ky është vullnet i dikujt tjetër dhe ne duhet t’i bëjmë të gjitha veprimet që janë sa më afër tregut të integrimit”, tha Shemsedin Dreshaj nga AAK.

Ish-ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi, ndërkaq vlerëson se përjashtimi i Kosovës nga CEFTA dhe procesi i Berlinit do të ishte goditje e rëndë për Kosovën.

“Për t’u anëtarësuar në CEFTA është bërë mund i madh dhe tani jemi para një situate të disfavorshme kur qeveria njëanshëm krijon barriera te cilat janë ne kundërshtim me programin e cefta vendi ynë ka qene përfitues i CEFTA-s. Duhet t’i plotësojmë kushtet e CEFTA-s e pastaj të ndodh integrimi, do të kemi pasoja që shteti ynë në të ardhmen të mos mund jetë pjesë e BE-së”, tha Krasniqi.

Importet nga Serbia u ndaluan nga Qeveria e Kosovës në qershor të viti të kaluar, me arsyetimin se ato po rrezikojnë sigurinë e Kosovës, dhe se përmes tyre mund të hyjnë edhe armë në vend. I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, së fundit ka kërkuar heqjen e ndalesës ndaj mallrave serbe, duke thënë se një gjë e tillë është kundër parimeve të CEFTA-s. Në këmbim, diplomati gjerman ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj, me fusnotë, dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Por deri më tani Qeveria e Kosovës nuk është bindur./RTV21/21Media

Back to top button