Çeku reagon për zhvillimet në Bujanoc: Ka ende qarqe politike që besojnë në ndryshimin e Serbisë

Të premten, drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jeton Ismaili, u arrestua nga policia serbe për shkak të shfaqjes së filmave të financuar nga Qeveria e Kosovës. U arrestua edhe njëri nga aktorët shqiptar që merr pjesë në film. Ata janë liruar gjatë ditës së sotme, por shfaqja e filmave është shtyrë për kohë të pacaktuar.
Lidhur me këtë ka reguar Ministri i Kulturës së Kosovë, Hajrullah Çeku, duke thënë se për fat të keq ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë.
Çeku ndërkohë ka thënë se politizimi edhe i artit nga Serbia dëshmon se ky shtet nuk do të ndryshojë kurrë.
“Pa asnjë motiv konkret, e madje duke e paragjykuar përmbajtjen e filmave, autoritetet serbe ndalojnë shfaqjen e filmave deri në një vendim të radhës. Ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mosdurim nacional. E për fat të keq ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë. Pikërisht politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar, apo se mund të ndryshojë”, ka shkruar Çeku.
Siç ka thënë Çeku, ky projekt ishte njëri nga 78 projektet që Qeveria jonë i mbështeti financiarisht përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?