Certifikata iu ndanë 50 dëshmorëve të kombit

50 dëshmorë të kombit rënë para luftës së UÇK-së morën certifikata

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës sot u mbajtë takimi me familjarët e dëshmorëve të kombit dhe u shpërndanë certifikata dëshmorëve të kombit, të cilët kanë rënë në fushën e nderit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës para luftës çlirimtare të Kosovës, por që deri më tani kjo kategori nuk janë njohur si dëshmorë të kombit, për shkak të neglizhencës së institucioneve të Kosovës.

Në takimin e përbashkët, përveç familjarëve të disa komunave të Republikës së Kosovës, morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e fundit UÇK-së.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, me këtë rast tha se falë dëshmorëve të rënë nga viti 1981 është bërë realitet çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Sipas tij, falë sakrificës së tyre është themeluar edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Andaj, Jashari tha se për këtë edhe po i nderojnë dhe respektojnë me certifikata të dëshmorit, edhe pse është simbolike krahasuar me mundin dhe sakrificën e tyre.

Certifikata të dëshmorit të kombit iu ndanë: Afrim Zhitisë, Asllan Pirevës, Hazir Krasniqit, Hafiz Arifit, Murat Mehmetit, Naser Hajrizit, Shukri Kelanit, Xhelal Maliqit, Fahri Fazliut, Ali Ajetit, Bedri Sokol etj.

Certifikatat i janë ndarë rreth 50 të rënëve në periudhën e para luftës së fundit nga tërë Kosova./21Media

Back to top button