Çështja e dinarit, ambasadorja gjermane në Beograd: Shpresoj të merren vendime të mira

Ambasadorja gjermane në Serbi, Anke Konrad, thotë se është shumë e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zbatohen dhe shton se pret që sot në Bruksel të merren “vendime të mira”, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me dinarin.

“Kjo vlen për Brukselin e vitit 2013 dhe për marrëveshjet që janë lidhur më pas, dhe sigurisht për vendimet e marra në Bruksel gati një vit më parë, si dhe për ato në Ohër”, thotë Konrad për Kosova Online

Sipas saj, kjo është e rëndësishme për të gjithë në Kosovë dhe Serbi, dhe tani veçanërisht për ata që jetojnë në veri të Kosovës, sepse, thekson ajo, normalizimi i marrëdhënieve jo vetëm që do t’ua lehtësojë jetën shumë njerëzve në rajon por gjithashtu do të kontribuojë në çdo zhvillim të ardhshëm.

“Ne shohim se tensionet e vazhdueshme nuk janë të mira për asnjë palë, veçanërisht jo për njerëzit që jetojnë atje, duhet të ketë pasoja për moszbatimin e marrëveshjes dhe mendoj se duhet të jenë në qendër të vëmendjes, ata që marrin vendime politike në progres në zbatimin e marrëveshjes”, thotë Konrad.

Ambasadorja shton se shpreson që do të merren vendime të mira, jo vetëm sot në takimin në Bruksel, që ka të bëjë konkretisht me dinarin, por edhe në aspekte të tjera të rëndësishme.

“Për sa i përket çështjes së dinarit, sot kemi bisedime në Bruksel dhe shpresoj se do të çojnë në një zgjidhje që do t’u mundësojë njerëzve qasje në para, në mënyrë që ata të jetojnë jetën e tyre dhe të mos dëshpërohen. Shpresojmë që këto bisedime të jenë të frytshme, që së paku të tregojnë rrugën se si zgjidhet kjo çështje, sepse për ne është e një rëndësie thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve në veri të Kosovës”, tha Konrad.

Back to top button