“Çfarë degradimi”, Hoti: Nga Shtëpia e Bardhë, dialogu përfundoi në Shkup dhe atë me fokus në Asociacion

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi ka degraduar.
Sipas Hotit, nga mundësia për nënshkrim të marrëveshjes finale me njohje reciproke në Shtëpi të Bardhë apo cilëndo qendër të shteteve të Quintit, dialogu ka ardhur në Shkup dhe diskutohet për datat e Asociacionit.
“Çfarë degradimi! Nga mundësia për nënshkrim të marrëveshjes finale për njohje reciproke në Shtëpinë e Bardhë apo në qendrat e tjera të Quintit, dialogu ka përfunduar në Shkup dhe atë për të diskutuar datën dhe detajet e zbatimit të asociacionit”, shkroi Hoti në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan të hënën në Bruksel për ta çuar para procesin e dialogut përmes pranimit të propozimit të Bashkimit Evropian, ndonëse i njëjti nuk u nënshkrua nga të dy liderët. Propozimi, i cili edhe u bë publik për herë të parë dje, përmban gjithsej 11 nene.

Back to top button