Çfarë diskutuan Macron dhe Scholz në bisedën telefonike me Putinin?

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron i kanë bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që të bien dakord për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin me Ukrainën gjatë një telefonate 75-minutëshe të shtunën.

“Biseda është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë” tha një zëdhënës i Scholz, por vuri në dukje se pjesëmarrësit kishin rënë dakord të mos thonë asgjë më tej në lidhje me detajet e sakta të diskutimeve.

Scholz kishte folur më herët me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy për situatën.

Ndërkohë, Kremlini tha se Putini kishte kritikuar atë që ai e quajti shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare humanitare nga forcat e Ukrainës, megjithëse deklarata nuk shtjellonte se çfarë shkeljesh kishte ngritur Putini.

“Putini i informoi (ata) për gjendjen reale të punëve. Në veçanti, u cituan fakte të shumta të shkeljes flagrante të normave të së drejtës ndërkombëtare humanitare nga forcat ukrainase të sigurisë”, tha zyra e tij në një deklaratë./21Media

Back to top button