Çfarë është disleksia dhe si ta trajtojmë atë, logopedia jep detaje për RTV21

Disleksia është çrregullim i të nxënit, ajo manifestohet me deficite të ndryshme në forma të ndryshme të gjuhës, shpesh duke përfshirë problemet në lexim dhe probleme sensore në zotërimin e aftësisë së shkrimit. Pra fëmija ka vështirësi gjatë të nxënit dhe leximit, e pastaj me shkrim të dobët dhe vështirësi në përdorimin e gjuhës së shkruar, për dallim nga ajo e folur.
Ky çrregullim është më shumë sesa paaftësia për të lexuar sepse tek ajo kemi deficit të analizës vizuele, kodimit fonologjik dhe të kuptuarit të gjuhës.
Për portalin rtv21.tv në lidhje me këtë temë detaje ka dhënë logopedia, Vlera Salihaj e cila ka thënë se nuk ka ndonjë moshë numerikisht të saktë se kur zbulohet disleksia por veçanërisht zbuohet në moshë të hershme kur fëmijët mësojnë të flasin, lexojnë dhe shkruajnë, edhe gjatë procesit të mësimit të llogaritjeve matematikore.
Pra, sipas saj afërsisht rastet më të shumta kur kuptohet se kanë të bëjnë me një fëmijë disleksikë është klasa e parë dhe e dytë rreth moshës 6,7 dhe 8 vjet por ka raste edhe në mosha më të mëdha.
Sipas disa studimeve shkencore të kryera në botë shihet se disleksia më shpesh është e paraqitur tek fëmijët meshkuj se sa tek femrat dhe se po këta fëmije kishin vështirësi në përqëndrim dhe vëmendje.

Logopedia Salihaj ka thënë se shkaktarët kryesor të disleksisë varen nga shumë faktorë të cilët ndahen në primarë, sekondarë dhe terciarë.
”Në faktorët primarë bëjnë pjesë; faktorët e trashëgimit, traumat, 2)Faktorët sekondarë; disfunksioni cerebral, dominanca pamjaftueshëm e zhvilluar e hemisferave (anomali në lateralizim), dëmtime periferike, organike dhe funksionale, masat pedagogjike të pamjaftuara, 3)Faktorët terciarë: mangësi në zhvillimin intelektual, vështirësi të përgjithshme në zhvillimin e të folurit, vështirësi në përceptim, vështirësi në koncentrim, vështirësi në motorikë”, ka thënë Salihaj.
Në lidhje me shenjat e disleksisë logopedia, Vlera Salihaj ka thënë se janë vështirësitë në lexim që lidhen me vështirësitë në shkrim, e që paralelisht me këtë mund të paraqiten dhe vështirësi në orientim në hapsirë, në përceptimin akustik dhe vizuel.
”Gjatë vlersimit nuk është i rëndësishëm lloji i gabimeve por a ekziston një numër i madh i gabimeve të njejta si zhvendosja e rendit të shkronjave në fjalë (psh. topi-poti, muri-rumi), zëvendësimi i shkronjave (b-d, m-n, bebe-dede), harrimi i shkronjave (bravo-bavo), shtimi i shkronjave (molla-mollara). Përveq këtyre gabimeve karakteristike, këta fëmijë janë të pasigurt në dallimin e drejtimit majtë-djathtë dhe shpesh kanë shkrim joadekuat. Varësisht nga pasqyra klinike, gabimet më shpesh që paraqiten te disleksia janë: paaftësia për ti mbajtur mend shkronjat, paaftësia për lidhjen e shkronjave në rresht, ngecje para nisjes së fjalës, lexim i ndarë fjalë pas fjale, kërcimi i rreshtave, paaftësi për ta kuptuar tekstin që ka lexuar, ndërprerje e shpeshtë gjatë leximit, respiracion i parregullt gjatë leximit”, ka thënë logopedia.

Përsa i përket trajtimit, sipas logopedës çrregullimi i disleksisë nuk është procedurë e thjeshtë dhe e unifikuar sepse leximi nuk është procedurë automatike, ai zhvillohet në disa zona të caktuara të trurit. Procedura e leximit si edhe të menduarit, varet nga aftësia jonë për ta kuptuar dhe për ta përdorur gjuhën, sistemin e fjalëve të cilat e përbëjnë tekstin dhe mendimin.
Disleksia është një vështirësi që nuk zhduket, megjithatë, ekzistojnë metoda dhe trajtime të ndryshme të cilat kryhen me ndihmën e logopedit, dhe mund të zvogëlohen dukshëm vështirësitë. Prandaj trajtimi logopedik është i rëndësishëm në mënyrë që njerëzit me disleksi të njohin fonetikën e fjalëve dhe të deshifrojnë kuptimin e tyre në ato që ua bëjnë më të vështirë shqiptimin, leximin ose shkrimin. Puna duhet të vazhdojë në shtëpi individualisht ose me ndihmën e një personi tjetër, në mënyrë që të kapërcehen shpejt vështirësitë e gjuhës, leximi, shkrimi dhe të folurit.
Sipas logopedës, Vlera Salihaj edhe prindërit luajnë rol me rëndësi nëse fëmija i tyre e ka këtë lloj çrregullimi, pra fillimisht ata duhet ta kuptojnë problemin e disleksisë dhe të marrin edukim shtesë.
Prindërit duhet t’i demonstrojnë se besojnë në aftësitë e fëmijës, duhet t’i sqarojnë fëmijës se duan ti ndihmojnë dhe se janë në anën e tij, vazhdimisht të bashkëpunojnë gjatë procesit të terapisë, gjatë punës të jenë kreativë, pozitivë, të përkushtuar dhe parimorë, të jenë organizativ dhe ti bëjnë fëmijës një rutinë ditore, të mos e ngarkojnë me detyra dhe ushtrime shtesë, të punojnë fort në motivimin e fëmijës, të kenë durim, vëmendje dhe dashuri./21Media

Back to top button