Çfarë u diskutua në takimin e Abdixhikut me ambasadorin amerikan?

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti në takim ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Me këtë rast, Abdixhiku dhe Hovenier diskutuan për situatën aktuale politike në vend, opozitarizmin e LDK-së karshi këtyre proceseve si dhe platformën politike me thekst të veçantë për procesin reformues brendapartiak dhe hapjen e vazhdueshme për të rinj e të reja që do të bashkëngjiten në rrugëtimin tonë të përbashkët.

Gjatë takimit u diskutua edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast kryetari Abdixhiku rikonfirmoi qëndrimin e LDK-së për përfundimin e këtij procesi me njohje reciproke, normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e në respektim të plotë të integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Kosovës.

Abdixhiku e vlerësoi lartë mbështetjen e pazëvendësueshme të ShBA-ve në të gjitha proceset shtet-formuese të Kosovës, ndërkaq shprehu përkushtimin e palëkundur të LDK-së për thellimin dhe mirëmbajtjen e miqësisë së përhershme ndërmjet dy vendeve./21Media

Back to top button