Çfarë u diskutua në takimin e Kurtit me Fayot?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, njëherit ministër i Ekonomisë i Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Franz Fayot.
Kryeministri shprehu mirënjohjen e Qeverisë për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë në vazhdimësi nga shteti i Luksemburgut. Duke e falënderuar për kontributin në zhvillimin e Kosovës, Kurti theksoi mundësitë e rritjes së mëtejme të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Nga ana e tij, Fayot e përgëzoi Kurtin për punën, duke theksuar se si vend mik e partner i vjetër, shteti i Luksemburgut është i interesuar për të ndërmarrë hapa të mëtejmë drejt bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët.
Fayot po ashtu shprehu interesimin për forcim të miqësisë, rritje të bashkëpunimit afat-mesëm dhe kalim nga perspektiva e zhvillimit, në partneritet të rregullt ndërmjet dy shteteve evropiane të barabarta.
Kurti foli për progresin në një vit qeverisje, për prioritetet e qeverisë si dhe për potencialin e bashkëpunimit në fushën e edukimit, digjitalizimit e transformimit e gjelbër.
Duke biseduar për tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike të cilat ofrojnë siguri të furnizimit, kryeministri potencoi kapacitetet për energji të ripërtëritshme, me fokus të veçantë në atë diellore dhe të erës. Kurti veçoi parkun e erës “Selac Windpark” me kapacitet prej 105 MW dhe 27 turbina, si dhe projektin “Solar4Kosovo” me kapacitet prej 70 MW, që njëherësh do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë, me sipërfaqe prej 69 mijë metër katror.
Kryeministri tha se digjitalizimi është një nga objektivat e programit qeverisës që parashihet të jetë pjesë e të gjitha fushave të qeverisjes.
“Nëpërmjet digjitalizimit synojmë që të rrisim transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e qeverisjes dhe në të njëjtën kohë të përmirësojmë shërbimet ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, tha ai.
U bisedua edhe për synimet e Qeverisë së Kosovës rreth reformimit të Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe rolit që ka në plotësimin e hendekut të shkathtësive dhe potencialit për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit./21Media

Back to top button