Çfarë u diskutua në takimin e Kurtit me Pompeo-n?

Në tryezën ndërkombëtare vjetore të revistës prestigjioze The Economist, e cila po mbahet në Athinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim me ish-sekretarin amerikan të Shtetit dhe ish-drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.
Në këtë takim u theksua miqësia dhe partneriteri i Kosovës me SHBA-të, nevoja për shtimin e investimeve ekonomike amerikane në Kosovë dhe hapat, që po ndërmerr Kosova për të shtuar sigurinë dhe mbrojtjen.
Kurti e njoftoi Pompeo-n me të arriturat e Kosovës sa i përket rritjes ekonomike, cilësisë së demokracisë dhe imazhit të Kosovës në botë.
U diskutua edhe situata në Evropë e posaçërisht në Ballkan pas agresionit ushtarak të paprovokuar, ilegal e të pajustifikueshëm të Rusisë mbi Ukrainën. Të dy u pajtuan që Rusia nuk bën kurrsesi ta fitojë këtë luftë, që kontinenti evropian mbrohet më së miri me unitet të brendshëm dhe me urën transatlantike me ShBA-të dhe se Kosova është shembull suksesi i qëndrueshmërisë së popullit të saj dhe i ndërhyrjes së NATO-s./21Media

Back to top button