Çfarë vendosën liderët e G7-ës?

Shtatë liderët botërorë ranë dakord të punojnë në një kufi të çmimit për naftën ruse, si pjesë e përpjekjeve për të ulur të ardhurat e Kremlinit nga energjia.
Në takimet e fundit, derisa Samitit në Gjermani po i afrohet fundit, doli se grupi po shqyrton një ndalim të transportit të naftës ruse që shitet mbi një çmim të caktuar.
“Ne i ftojmë të gjitha vendet me të njëjtin mendim që të konsiderojnë bashkimin me ne në veprimet tona”, shkruan ata në një komunikatë përfundimtare, të parë nga Reuters.
Ata trajtuan gjithashtu krizën e urisë në botë, duke u bërë thirrje “të gjitha vendeve të shmangin grumbullimin e tepërt të ushqimit që mund të çojë në rritje të mëtejshme të çmimeve”, shkruan BBC.
“Ata gjithashtu do të nxisin ndalimin e importeve të arit rus si pjesë e përpjekjeve për të shtrënguar sanksionet ndaj Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë”, tha një zyrtar i BE-së.
Përveç kësaj, shtatë liderët premtuan 4.5 miliardë dollarë shtesë për të luftuar pasigurinë globale të ushqimit , duke e çuar shumën totale në këtë vit në më shumë se 14 miliardë dollarë.
Rritja e çmimeve të karburanteve, pasojat nga pandemia e Covid-it dhe lufta në Ukrainë po kontribuojnë të gjitha në frikën e një zie të urisë globale dhe G7 i kërkoi edhe një herë Rusisë të heqë bllokadën e saj ndaj porteve të Detit të Zi të Ukrainës dhe të ndalojë çdo “përvetësim të paligjshëm” të grurit.
Rusia mohon të jetë përgjegjëse për krizën ushqimore dhe fajëson sanksionet perëndimore për ndërprerjet e dërgesës./21Media

Back to top button