Finalja e madhe e sezonit 2020/21 që do të zhvillohet në Stamboll të Turqisë, do të jetë finale angleze, e treta kjo në histori të Ligës së Kampionëve.

Skuadra angleze Chelsea ka arritur ta eliminoj gjigantin spanjoll Real Madridin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ku brenda dy ndeshjeve rezultati i përgjithshëm është 3:1 në të mirë të londinezëve.

Në ndeshjen e parë, në “Alfredo Di Stefano”, Reali barazoi me Chelsean me rezultat 1:1, kurse në ndeshjen e kthimit sot, në “Stamford Bridge”, “Galaktikët” pësuan humbje me rezultat 2:0.

Fillimisht, ishte sulmuesi Timo Werner ai i cili e zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë, në minutën e 28’, për Chelsean, ndërsa Mason Mount me golin e tij në pjesën e dytë në minutën 85’ e vendosi eliminimin e gjigantit spanjoll.

Në finale, skuadra e Chelseat do të përballet me skuadrën e Manchester Cityt, ndeshje kjo që do të zhvillohet më 29 maj në stadiumin “Ataturk Olympic” në Stamboll të Turqisë.