Cilësohen si të pafalshme deklaratat e Gërvallës për raketat në Poloni: Po i hedh benzinë zjarrit

Hedhja e një rakete në Poloni ku si pasojë e saj mbetën të vdekur dy persona, ngjalli shumë reagime, sa që për këtë edhe NATO aktualisht është duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme.
Deri më tani, aleanca ushtarake perëndimore dhe vetë qeveria polake kanë shmangur fajësimin e Rusisë.
E përderisa presidenti amerikan , Joe Biden tha se këto raketa mund të mos jenë hedhur nga Rusia, madje edhe vet Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, tha se raketa ruse ishte “ndoshta një incident fatkeq”, ministrja e punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në reagimin e saj fajëson direkt Rusinë për një gjë të tillë.
Ajo përmes një postimi në Twitter i bën thirrje Bashkimit Evropian që të jetë më e vendosur për ta ndalur presidentin rus, Vladimir Putin përpara se ta sjell luftën në tërë kontinentin.
“Jemi të pikëlluar me humbjen e jetëve të qytetarëve të pafajshëm polakë që u vranë nga raketat ruse. Mendimet tona janë me familjet e viktimave, Kosova qëndron me Poloninë kundër regjimit të Putinit. Bashkimi Evropian duhet të veprojë në mënyrë shumë më të vendosur për të ndaluar Putinin përpara se ai të sjellë luftën në të gjithë kontinentin”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.

Por, ky reagim ngjalli shumë komente në rrjetet sociale të cilat kritikuan Gërvallen për mungesë diplomacie.
Sibel Halimi nga LDK e cilësoi si të pafalshme deklaratën e Gërvallës, duke shtuar se me këtë ajo u tregua jodiplomatike dhe tërësisht e pakujdesshme në reagimet e saj.
“Në një kohë kur të gjithë zyrtarët e ShBA-së, BE-së dhe të NATO-s rezervohen në deklarime – që të mos ketë përshkallëzime dhe pasaktësi – ministrja jonë e jashtme tregohet joserioze, madje me një dëshirë të papërmbajtshme për t’i hedhur benzinë zjarrit. Përpos lëshimeve teknike e ngatërrimit të flamujve të shteteve, angazhimit të vobektë të njohjes së Kosovës, gabimet përmbajtjesore e deklarimet pa takt, sikur ky i fundit, janë bërë rëndomtës. “, tha ajo.
Tutje, Halimi sugjeroi se para se të bëhen reagime të tillë kabineti duhet të angazhohen dhe konsultohen.
“Politika, dhe sidomos diplomacia, bëhet me vetëpërmbajtje e maturi, jo me temperament e vrull për t’u deklaruar, duke e vënë kësisoj shtetin tonë në pozitë të pafavorshme në politikën ndërkombëtare.”, përfundoi Sibel Halimi.
Sa i përket raketave, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se s’duhet të arrihet në përfundime pa u bërë ky hetim, derisa ndihmën e SHBA-së për të hetuar rastin e quajti shenjë pozitive.
Po ashtu, edhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, thotë se është e rëndësishme që të vërtetohen faktet./21Media

Back to top button