Szunyog: Kosova t’i trajtojë dobësitë e legjislacionit zgjedhor

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar qendrën e votimit në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, ku u interesua për mbarëvajtjen e votimit dhe bëri thirrje të gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar, si dhe theksoi domosdoshmërinë e forcimit të legjislacionit zgjedhor në Kosovë.
Ai ka thënë se po përcjellin balotazhin më shumë vëzhgues dhe se të martën do ta publikojnë raportin e monitorimit.
“Unë do t’i bëj thirrje votuesve të vijnë dhe të votojnë. Bashkimi Evropian ka sërish ekipet e vëzhgimit të zgjedhjeve nëpër Kosovë. Ne po marrim pjesë edhe nga zyra e BE-së, por edhe nga zyra e PPBEK-së, por është edhe misioni vëzhgues i zgjedhjeve, i cili organizohet nga Brukseli dhe është i pavarur nga zyra e BE-së. Ne kemi në fakt dhjetëra vëzhgues, vëzhgues afatshkurtër dhe gjithashtu vëzhgues afatgjatë. Natyrisht, ata janë duke monitoruar misionin dhe raporti i parë preliminar do të publikohet të martën në mëngjes për vlerësimin e përgjithshëm të zgjedhjeve dhe presim që raporti përfundimtar nga zgjedhjet të jetë gati diku në fillim të vitit të ardhshëm, por në të njëjtën kohë, do të doja të theksoja domosdoshmërinë e forcimit të legjislacionit zgjedhor në Kosovë, janë çështje që kanë qenë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, por edhe në zgjedhjet komunale, dhe mendoj se këto çështje duhet të trajtohen si prioritet nga qeveria, parlamenti dhe të gjitha partitë politike”, ka thënë ai.
Tutje, Szunyog ka vlerësuar se shpreson që në vitet e ardhme do të shohin një proces që më pas do t’i dërgojë në një legjislacion më të mirë.
“Shpresoj që menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, liderët politikë dhe partitë politike të fillojnë të konsultohen se si ta bëjnë këtë. Ka pasur rekomandime të ndryshme që nga viti 2017, 2019, 2021 dhe jam i sigurt se do të ketë rekomandime shtesë pas vlerësimit të këtyre zgjedhjeve lokale. Atëherë, në fakt është koha që Kosova t’i trajtojë ato dobësi të legjislacionit zgjedhor në mënyrë gjithëpërfshirëse. Pra, shpresoj që vitin e ardhshëm do të shohim një proces gjithëpërfshirës, i cili do të na çojë drejt një legjislacioni zgjedhor më të mirë dhe më solid”, ka thënë ai.
Sunyog ka theksuar se është mjaft i impresionuar me organizimin e zgjedhjeve, duke thënë se procesi është teknikisht i mirë.

Back to top button