Çitaku fton Prokurorinë t’i hetojë ”korrupsionin dhe skandalet e Qeverisë”

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se e denoncon korrupsionin dhe aferat e njëpasnjëshme të Qeverisë, të cilat sipas saj e kanë prekur shumicën e sektorëve dhe institucioneve.

Në një konferencë për media, Çitaku ka ftuar institucionet e rendit, policinë dhe prokurorinë, që urgjentisht të hetojnë të gjitha aferat e kësaj Qeverie dhe të mos lejojnë prishjen dhe humbjen e provave.

“Siç e keni parë gjatë kësaj kohe, çdo ditë po pasurohet albumi i korrupsionit të kësaj Qeverie. Raportimet e mediave, po tregojnë që eksponentë të partisë-shtet, nuk kanë lënë asnjë sektor pa shtrirë rrjetin e korrupsionit, përfshirë edhe në gjërat më esenciale: Rrymë, grurë e vaj. Dje, pamë edhe raportimet për abuzim të fondeve që janë të paraparave për komunitete dhe rastësisht na doli që personat që kanë përfituar, të jenë familjarë të ministrave të kësaj Qeveri. Shumë prej tyre nuk e kishin as idenë më të vogël se për çka kanë përfituar ato fonde. Përballë krejt kësaj situate, më skandaloze se aferat, kanë qenë reagimet e Kryeministrit Kurti dhe eksponentëve të Qeverisë. Në rastin më të mirë ka pasur indiferencë dhe shpërfillje – derisa – në rastin më të keq, ka pasur një mbrojtje të pashpjegueshme të akterëve të përfshirë në korrupsion dhe një sulm histerik kundër prokurorisë dhe mediave”, theksoi ajo.

Në një konferencë për media, Çitaku ka thënë se Qeveria Kurti nuk i ka shpallur luftë korrupsionit, por gazetarëve të cilët po i zbulojnë rastet korruptive dhe rendit e ligjit, që po i hetojnë ato.

Tutje, Çitaku theksoi se audio-incizimet e publikuara në media kanë shpërfaqur presionin e madh që po u bëhet administratës publike dhe shërbyesve civilë nga zyrtarët shtetërorë, për ta shkelur ligjin.

Back to top button