Çka mund të prisni nga “Diaspora Flet” 2023?

Konferenca “Diaspora Flet’” rikthehet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 18, 19 dhe 20 maj 2023.

Për edicionin e sivjetmë, lokacioni i konferencës do të jetë ‘Klan Arena’ ku do të mbahen pjesa më e madhe e aktiviteteve të parapara.

Që nga lansimi i konferencës figura të shquara të profileve të ndryshme shprehën gatishmërinë të bëhen pjesë e paneleve të diskutimit të cilat do të jenë të shumta këtë edicion e do të trajtojnë llojllomshëri temash. 

Gjithçka do të fillojë të enjten me datë 18 maj, ku nga ora 17:00 do të bëhet pritja e pjesëmarrësve dhe regjistrimi i tyre. Ata do të marrin materialin e konferencës, agjendën, udhëzuesit/instruksionet dhe informacionet përkatëse për programin.  

Pas ardhjes së pjesëmarrësve konferenca do të fillojë zyrtarisht me ceremoninë e hapjes. E cila do të shoqërohet menjëherë me panele diskutimi ku temat që do të trajtohen nga folësit kyç do të jenë: angazhimi i Diasporës për Zhvillim dhe programi i të rinjve shqiptar që synojnë të arrijnë ndryshim historik.

Nata e parë është e menduar që të shërbejë për krijimin e raporteve dhe rrjetëzimin mes pjesëmarrësve të konferencës andaj pas paneleve të diskutimit, pjesëmarrësit do të jenë të lirë të shijojnë darkën dhe muzikën instrumentale shqiptare.

E në vijim dita e premte është planifikuar të jetë plotë me aktivitete në mënyrë që pjesëmarrësit të kalojnë kohë kualitative. 

Duke filluar nga ora 07:00 në mëngjes pjesëmarrësit e konferencës ftohen t’i bashkohen ecjes së mëngjesit në parkun e Gërmisë. Ecja do të shoqërohet nga alpinistja Mrika Nikqi. E më pas të bashkohen në Klan Arena për vijimin e ditës, plotë me panele diskutimi që do të jenë edhe sesione paralele.

Do të bëhet gërshetimi i temave të parapara për diskutim si: Fondi i Diasporës për Ndikim dhe korniza e re e angazhimit të diasporës, integrimi i përspektivës gjinore në debatin e diasporës,  emigrimi i të rinjve dhe “ikja e trurit”, angazhimi i diasporës për zhvillimin e qyteteve tona, të gjitha këto do të diskutohen e do të marrin përgjigjet adekuate nga profesionistët e fushave.

Normalisht, që organizatorët kanë menduar edhe për relaksimin e pjesëmarrësve, për çka edhe kanë planifikuar ushqimin, pauzat e kafesë e njohjen me personalitete që kanë korrur suksese në fusha të ndryshme si storie inspirimi për të gjithë.

Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kosovës, diasporës shqiptare dhe të gjithë pjesëmarrësve të konferencës dita e fundit do të jetë ditë e vizitave që do të zhvillohen në tre vende të ndryshme. Vizita në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në kompaninë Gjirafa dhe në Speeex. Në këtë ditë të ftuarit e konferencës do të kenë mundësinë të njihen nga afër me institucionin më të lartë shtetëror dhe dy kompanitë vendore.

Diçka është e sigurt që tre ditët e konferencës do të jenë ditë të mbushura plot me aktivitete, ditë interesante dhe padyshim të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Ju rikujtojmë që dyert janë të hapura që të na bashkoheni.

Për të mësuar më shumë detaje ju ftojmë të klikoni në link-un e mëposhtëm.

https://www.eventbrite.com/e/konferenca-diaspora-flet-2023-conference-tickets-617065157497

Back to top button