Çka ofron Universiteti i Prishtinës për studentët e rinj

Sivjet 68.43% e maturantëve të cilët treguan sukses në provimin shtetëror të maturës presin hapjen e konkurseve nga Universitetet.
Shumica e maturantëve janë në dilemë se çfarë drejtimi do të ndjekin dhe cili Universitet i plotëson kushtet dhe synimet e tyre.
Por, çka ofrojnë Universitetet Publike në vend për vitin akademik 2021/2022 portali rtv21.tv ka realizuar në një seri intervistash me rektorët e univeristeteve.
Intervistë me rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti.
1. Çka ofron Universiteti i Prishtinë për studentët e rinj?
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është zgjedhja e parë për studentët kosovarë. UP-ja është institucion publik, më prestigjiozi i arsimit të lartë dhe më i madhi në hapësirën shqipfolëse. Për shkak të historikut të tij pesë dekadësh, universiteti ynë njihet si një zgjedhje e sigurt dhe e qëndrueshme për studime, i cili ofron një listë të gjerë të programeve akademike. UP-ja shtrihet në qendrën e kryeqytetit, në kampusin më të gjerë në Kosovë, duke shërbyer edhe si qendër e aktiviteteve akademike e profesionale në vend, me profesorët më eminentë të fushave.
· Universiteti lider në vend;
· I shquar për cilësi të lartë të studimeve;
· Kampus i gjerë – në qendër të kryeqytetit;
· I shquar për bashkëpunim ndërkombëtar;
· Baza kryesore e kërkimit shkencor në vend;
· Staf akademik eminent dhe me përgatitje të lartë akademike;
· Universiteti me normën më të madhe të publikimit në revistat e njohura ndërkombëtarisht;
· Institucioni arsimor me nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në projekte evropiane;
· I orientuar drejt përgatitjes së të rinjve për tregun e punës;
· Pjesa dërmuese e të diplomuarve në Kosovë janë alumni të UP-së.
2. Cilat janë problemet më të cilat ballafaqohet Universiteti i Prishtinës?
UP-ja përballet me një numër të madh të problemeve dhe sfidave, të trashëguara nder vite, por në kuadër të strategjisë për UP-në, të gjitha këto probleme janë kthyer në detyra.
UP-ja vazhdon të përballet me vështirësi të ndryshme, përfshirë: problemin e hapësirave, mungesën e laboratorëve, mungesën e literaturës, mungesën e stafit akademik dhe administrativ, etj.
3. Nga cilat komuna keni më shumë studentë dhe sa janë në përputhje më nevojat e tregut drejtimet përkatëse të Universitetit?
UP-ja ka më numrin më të madh të studentëve nga Komuna e Prishtinës (6962 studentë), Podujevës (2681 studentë), Gjilanit (1898 studentë), Pejës (1755), e tutje. Universiteti i Prishtinës ofron studime në 165 programe studimore, në 14 njësi akademike, duke ofruar laryshi të mundësive për studim për të rinjtë tanë. Përkundër programeve të shumta studimore, UP-ja në Planin Strategjik ka paraparë objektiva që synojnë avancimin tutje të këtij sektori, përfshirë ofrimin e programeve të reja, apo rishikim të programeve aktuale varësisht nevojave të tregut. Kjo synohet të avancohet duke rritur bashkëpunimin me sektorin publik dhe privat për të lidhur tutje programet me kërkesën, aftësitë aktuale dhe kërkesat e njohurive dhe nevojave të ardhshme.
4. Sa jeni të kënaqur me kushtet infrastrukturore të Universitetit?
UP ka mungesë të hapësirave për të përmbushur nevojat e saj për mbarëvajtje të procesit mësimor. Ndër vite UP-ja ka bërë planifikime për ndërtim të objekteve të reja për nevojat e UP-së, por në këtë aspekt kemi nevojë edhe për mbështetje nga ana e akterëve tjerë, siç është Komuna e Prishtinës, por edhe nga Qeveria.
Në kuadër të Planit Strategjik parashihet që UP-ja të zhvilloj infrastrukturën edhe duke krijuar strategji për menaxhim të burimeve të kampusit, për mbajtje të aktiviteteve në kampus, si dhe ndërtimi tutje i saj në mënyrë që edhe studentët me nevoja të veçanta të kenë qasje me të lehtë në hapësirat ku aktualisht ajo iu pamundësohet.
5. Sa ka bashkëpunim ndërkombëtar Universiteti i Prishtinës?
UP-ja liston qindra marrëveshje të bashkëpunimit me universitete, institucione e organizata të tjera ndërkombëtare, ndërkaq kultivon partneritet disa dekadësh me universitete prestigjioze në Evropë dhe SHBA. Institucioni ynë, me anë të bashkëpunimit ndërkombëtar, ofron mundësi të shumta për studentët dhe stafin përfshirë këtu mundësinë për diploma të përbashkëta, mobilitete të studentëve e stafit në kuadër të programeve të ndryshme evropiane, konferenca e simpoziume ndërkombëtare, e të tjera mundësi. Përveç kësaj, UP-ja vazhdon të jetë institucioni lider vendor në rangimet ndërkombëtare, edhe falë nivelit të lartë e cilësor të kërkimit shkencor./21Media

Back to top button