Mazhoranca kritikon raportin e RTK-së, opozita: Qëllimi është kapja e mediumit publik

 
Kuvendi i Kosovës në mungesë të kuorumit ka dështuar të votojë Raportin vjetor të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2020.
Gjatë shqyrtimit të raportit, Doarsa Kica Xhelili kryetare e Komisionit për Administratë Publike, vlerësoi se i njëjti nuk i përmbushë obligimet ligjore, dhe kështu ka rekomanduar që mos të miratohet nga kuvendi.
“Mendoj se duhet të bëjmë një pyetje thelbësore, çfarë duhet të presim ne nga ky raport? Çka duhet të presim nga ky transmetues publik në raportim? Kompetencë, strategji, vizion, reforma, apo aktivitet. Po ashtu adresim për mos shtrirje territoriale të sinjalit. Tutje, e kemi edhe çështjen Raportit të progresit të Komisionit Evropian për Kosovë, pasi që nga viti në vit po i përsërit dilemat e njëjta lidhur me këtë transportues publik. Pra, a kemi nga këto diçka nga në raport, asgjë”, tha ajo.
Ndërsa, kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja theksoi se ky komision është kundër këtij raporti, pasi sipas tij ka shpërputhje midis raportit të shpenzimeve dhe projeksionit buxhetor.
“E dyta, është sa i përket shpenzimeve, zakonisht para alokimit të buxhetit, RTK-ja dërgon një projeksion financiar mbi bazën e projeksionit financiar, Kuvendi i Kosovës i bën alokimin e mjeteve. Gjatë raportimit vjetor ka një shpërputhje midis raportit të shpenzimeve dhe projeksionit fillestar dhe nuk ka asnjë evidencë që është informuar Kuvendi për këtë punë. Në bazë të Ligjit, bordi i RTK-së e ka për obligim mos të lejojë tejkalimin e shpenzimeve. Ndërsa, edhe në vitin 2020 ekziston një tendencë e çuditshme e tejkalimit të shpenzimeve pa pasur autorizim”, theksoi ai.
Deputeti i PDK-së Hajdar Beqa, tha se qëllimi i mazhorancës është që të shkarkohet bordi i RTK-së, derisa propozoi që raporti i RTK-së të miratohet.
“Krejt qëllimi është që si të shkohet deri tek shkarkimi, me qëllim të emërimit të një bordi nga të afërt e pushtetit aktual dhe kapjes së një mediumi publik. Nuk do të lëshohemi në raport, konsideroj që duhet të jemi të sinqertë ndoshta u kanë mirë me i bë dy pikat bashkë. Unë rekomandoj të kundërtën me atë çka po thotë mazhoranca që të votohet raporti i RTK-së”, tha ai.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se qëllimi i pozitës është që kapet mediumi publik.
“Vet fakti që pika e nëntë e rendit të ditës e kemi shkarkimin e këtij bordi të RTK-së jep të kuptoj që këtu po kemi politizim dhe deklarimi rreth raportit është të arsyetojë shkarkimin që ju keni vendosur ta bëni pak më vonë. Ky shkarkim i bordeve dhe ngarkim siç keni deklaruar ju se kemi me bë depolitizimin e bordeve faktikisht në emër të ç‘kapjes së shtetit ju po e kapni shtetin”, tha jo.
GP i PDK-së ka lëshuar sallën plenare për të shkuar në ceremoninë e varrimit të babait ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Kuvendi pritet që të shqyrtojë sonte edhe rekomandimin e Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës .

Back to top button