Çka ofron Universiteti i Prizrenit për studentët e rinj

 
Sivjet 68.43% e maturantëve të cilët treguan sukses në provimin shtetëror të maturës presin hapjen e konkurseve nga Universitetet.
Shumica e maturantëve janë në dilemë se çfarë drejtimi do të ndjekin dhe cili Universitet i plotëson kushtet dhe synimet e tyre.
Por, çka ofrojnë Universitetet Publike në vend për vitin akademik 2021/2022 portali rtv21.tv ka realizuar në një seri intervistash me rektorët e univeristeteve.
Intervistë me rektorin e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ismet Temaj.
1. Çka ofron Universiteti i Prizrenit për studentët e rinj?
Sivjet universiteti i pret studentët e rinj me kushte më të mira në të gjitha aspektet, si me staf akademik ashtu edhe me kushte infrastrukturore, bibliotekë, qasje në biblioteka elektronike, Sistem të Menaxhimit Universitar më të avancuar, etj.
2. Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohet Universiteti i Prizrenit?
Si çdo institucion, Pandemia Covid-19 ka sjellë problemet si në mbarëvajtjen e mësimit në kushte normale po ashtu në arritjen e objektivave strategjike në kohë. Mirëpo, ne jemi gjendur shumë mirë dhe përmes platformës online, e cila është lansuar menjëherë pas paraqitjes së pandemisë, studentët nuk kanë humbur mësimin.
3. Nga cilat komuna keni më shumë studentë dhe sa janë në përputhje me kërkesat e tregut drejtimet përkatëse të Universitetit?
Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren studentët janë kryesisht nga komunat e regjionit të Prizrenit, Rrafshin e Dukagjinit dhe më gjerë. Programet janë dizajnuar në përputhje me kërkesat e tregut dhe standardet evropiane të cilësisë.
4. Sa jeni të kënaqur me kushtet infrastrukturore në Universitet?
Në universitetin tonë kushte infrastrukturore janë në nivel të mirë, mirëpo për përmbyllje, sidomos të digjitalizimit, kemi nevojë për shtimin e buxhetit për investime kapitale, bursa për studentë, kërkime shkencore dhe rritjen e numrit të punëtorëve, si në stafin akademik ashtu edhe në atë administrativ.
5. Sa ka bashkëpunim ndërkombëtar Universiteti i Prizrenit?
Një ndër shtyllat e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren është edhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Në universitetin tonë janë duke u zbatuar shumë projekte të rëndësishme, që u jemi mirënjohës të gjithë donatorëve që kanë kontribuar në zhvillimin e universitetit tonë. Po ashtu me dhjetëra universitet kemi bashkëpunim./21Media

Back to top button