Çka u bisedua në takimin e Kurtit me kryetarin e BSPK-së?

Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sot zhvilluan takimin e radhës me Kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykollin.
Zyra e Kryeministrit informoi se për më shumë se një orë u diskutua për grevën e shpallur nga BSPK-ja, për kërkesën sindikale për shtesën prej 100 euro dhe për veprimet e deritanishme të Qeverisë në trajtimin e kërkesave tjera paraprake të sindikatave.
Kryeministri Kurti e njoftoi Hykollin se Projektligji për Pagat e Sektorit Publik këtë javë ka përfunduar fazën e konsultimeve paraprake dhe se gjatë javës që po vjen do të dalë në konsultime publike, teksa e ftoi BSPK-në që të bëhet pjesë e këtyre konsultimeve.
“Më tej ai tha se Qeveria që drejtohet nga ai ka treguar gatishmëri për të adresuar kërkesa sindikale që trajtojnë në mënyrë sistematike problemet e punëtorëve të sektorit publik. Si dëshmi mori vendimet e MAShTI-t për të ndarë 1.7 milionë euro për 300 mësimdhënës me probleme shëndetësore, për buxhet shtesë për mësimdhënësit që kualifikohen si tepricë ashtu që mos të mbesin pa punë, trajtimin e barabartë të mësuesve klasorë dhe lëndorë në arsimin e mesëm të ulët, eliminimin e padrejtësive ndërmjet të gjitha kategorive të punëtorëve të arsimit dhe renditjen e mësimdhënësve me koeficientin më të lartë ndonjëherë sipas projektligjit të ri.”, u bë e ditur në komunikatë.
Nga data 25 gusht, shkollat janë në grevë në të gjithë Kosovën. Sindikatat po kërkojnë nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave./21Media

Back to top button