​Çmimi Nobel shkon për shkencëtarët që zbuluan vaksinën kundër Covid-it

Çmimi Nobel në Fiziologji ose Mjekësi i është dhënë një çifti shkencëtarësh që zhvilluan teknologjinë që çoi në vaksinat “mRNA” kundër Covid-19.

Profesorët Katalin Kariko dhe Drew Weissman do të ndajnë këtë çmim, raporton BBC.

Këto vaksina ishin eksperimentale përpara pandemisë, por tani ato u janë dhënë miliona njerëzve në mbarë botën për t’i mbrojtur ata nga Covid-19.

E njëjta teknologji e vaksinave “mRNA” tani po hulumtohet për sëmundje të tjera, përfshirë kancerin.

Vaksinat trajnojnë sistemin imunitar për të njohur dhe luftuar kërcënimet si viruset ose bakteret.

Teknologjia tradicionale e vaksinave është bazuar në versione të vdekura ose të dobësuara të virusit ose bakterit origjinal – ose duke përdorur fragmente të agjentit infektiv.

Gjatë pandemisë Covid, vaksinat Moderna dhe Pfizer/BioNTech bazoheshin të dyja në teknologjinë “mRNA”.

Një vaksinë mRNA Covid përmban udhëzimet gjenetike për ndërtimin e një komponenti – një proteine – nga koronavirusi.

Kur kjo injektohet në trup, qelizat tona fillojnë të prodhojnë shumë proteina virale.

Sistemi imunitar i njeh këto si të huaja, kështu që i sulmon dhe në këtë mënyrë mëson se si të luftojë virusin, dhe për këtë arsye sistemi imunitar është i gatshëm kur ndodhin infeksione të ardhshme.

Katalin Kariko tani është profesoreshë në Universitetin Szeged në Hungari dhe Drew Weissman është ende duke punuar si profesor në Universitetin e Pensilvanisë.

Back to top button