ÇOHU: Universitetet publike në shërbim të politikës

Sipas Boletinit, këto universitete janë krijuar si premtime elektorale në fushata zgjedhore

Universitetet publike në Kosovë përballen me vështirësi të mëdha në realizimin e punës së tyre dhe meqë janë themeluar si premtim në fushatë zgjedhore, pa buxhet e kushte, këto universitete ndikohen lehtë nga politika e cila është munduar t’i arrijë synimet e saj duke ndërhyrë në mënyra të ndryshme në punën e tyre.

Ky konkluzion ka dalë në hulumtimin “Universiteti si fushatë” i realizuar nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese, ku janë hulumtuar Universiteti i Pejës, ai i Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt dhe ai i Gjakovës.

Autori i këtij hulumtimi, Besnik Boletini ka thënë se këto Universitete janë krijuar si premtime elektorale në fushata zgjedhore, e kjo sipas tij është mangësia kryesore pasi janë krijuar pa një analizë të mirëfilltë.

Ai tha se vendimet për hapjen e këtyre Universiteteve janë marrë në kohë fushate, e kjo sipas tij ka bërë që në këto Universitete të vërshojnë anëtarët e partive politike. Sipas tij, në këto njësi akademike janë rehatuar militantët partiak.

“Në Prizren dhe në Pejë kanë dhënë mësim mësimdhënësit me nivelin bachelor dhe me notë mesatare aty mbi 6. Ky është problemi kryesor që i karakterizon këto Universitete për nga cilësia. Këto ndërhyrje politike fillimisht janë mundësuar për shkak se 4 nga 6 rektorët kanë pasur lidhje politike me parti. Të katërtit vijnë nga PDK që është Bajram Kosumi në Universitetin e Gjilanit, Ramë Vataj në atë të Prizrenit, Alush Musaj në Universitetin e Mitrovicës dhe Agron Bajraktari ish këshilltar politik i ministrit Blerand Stavileci në Ferizaj. Në total stafi menaxhues i këtyre gjashtë Universiteteve kemi identifikuar 35 persona që kanë lidhje me partitë politike. Nga ta 15 janë të PDK-së, 6 të LDK-së, 5 të AKR, 3 të AA, 2 Nisma”,tha ai.

Një problem tjetër sipas hulumtimit është mungesa e theksuar e stafit akademik. Autori i hulumtimit tha se shumë profesor që punojnë në Universitetin e Prishtinës ligjërojnë edhe në këtë Universitete, e që sipas tij kjo bënë që cilësia e studimeve të vihet në pikëpyetje.

 “Shumica e profesorëve që ligjërojnë edhe në Universitetin e Prishtinës ligjërojnë edhe në këto Universitete. Prandaj, në këtë aspekt edhe cilësia e studimeve vihet në pikëpyetje. Ne kemi marrë disa të dhëna ta zëmë për katër Universitete siç është ai i Pejës i ka 74 profesor të rregullt, kurse 100 të angazhuar. I Mitrovicës 110 të rregullt, 35 të angazhuar, Universiteti i Prizrenit 66 të rregullt, ndërsa 140 të angazhuar dhe ai i Gjakovës 45 të rregullt dhe 50 të angazhuar. Duhet të theksojmë që bashkëpunëtorët e jashtëm janë për disa orë të caktuar dhe këtu paraqiten problemet kur është numri i madh i tyre, sepse mungojnë shpesh në ligjërata, në konsultime dhe në proceset tjera të mësimdhënies. Kjo është një mangësi e madhe sa i përket cilësisë së mësimdhënësit”, u shpreh ai.

Ndërkaq, një problematikë tjetër sipas autorit të hulumtimit është kërkesa që ka ardhur që këto Universitete të mbyllen. Ai thotë se me ndërrimin e partisë që udhëheq me Ministrinë e Arsimit ka ardhur edhe kjo kërkesë.

“Këto në vazhdimësi i janë nënshtruar një lloj ndikimi politik, tash me ndërrimin e partisë që udhëheq Ministrinë e Arsimit është bërë një vlerësim i cili në një mënyrë sa që duhet me u mbyll këto Universitete. Do të thotë, derisa këto janë në proces të konsolidimit ka një kërkesë të ministrisë për me u mbyllë. Çka është më skandalozja këtu që ky vlerësim është bërë pa shkua në 5 prej këtyre Universiteteve, do të thotë vetëm në Universitetin e Gjakovës ka qenë ky komision ndërsa tek këto Universitetet e tjera nuk ka qenë fare dhe është bërë një vlerësim i tillë”, u shpreh ai.

Një tjetër e metë sipas hulumtimit është edhe se këto Universitete nuk kanë kode buxhetore të tyre.

Back to top button