Osmani: E domosdoshme prania e KFOR-it në Kosovë

(Live Update)

Connolly: Duhet të parandalojmë destabilizimin e Ballkanit nga Rusia dhe Kina

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald Connolly, Kërkoi nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që së bashku me vendet euroatlantike të punojnë për të parandaluar destabilizimin e rajonit pas agresionit rus në Ukrainë.
Në videomesazhin e tij në Seminarin e 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Connolly u shpreh se invazioni rus ka cenuar peizazhin e sigurisë në botë, ndërsa vendet demokratike duhet të qëndrojnë krah njëra-tjetrës për të kaluar edhe këtë sfidë.
“Me këtë agresion Rusia dëshiron që të shkatërrojë demokracinë në Ukrainë dhe ta bëjë këtë edhe kudo. Shtetet tona duhet të qëndrojnë me njëra-tjetrën me të gjitha kombet demokratike për të luftuar këtë krim që po e bënë Rusia ndaj demokracive të tjera… Siguria jonë është e ndërlidhur ngushtë për këtë Ballkani Perëndimor dhe shtete euroatlantike duhet të punojnë bashkë për të tejkaluar sfidat e rajonit dhe të pengojnë destabilizimin nga fuqitë jo demokratike siç janë Rusia dhe Kina”, tha ai.

(09:  57)

Osmani: E domosdoshme prania e KFOR-it në Kosovë


Siguria dhe paqja në Ballkanin Perëndimor do të jetë e brishtë, nëse ky rajon mbetet jashtë vendimeve të rëndësishme që do të merren ditëve në vijim, kështu deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë seminarit Rose-Roth” të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Prishtinë,.
Ajo po ashtu tha se prania e KFOR-it në Kosovë është e domosdoshme.
“Sa herë që merren vendimet, Ballkani Perëndimor nuk duhet të shihet si një fqinjë i largët. Energjia dhe siguria jenë të ndërlidhura shpresoj që paqja dhe siguria nuk do të jenë të brishta nëse rajoni lihet jashtë vendimeve që pritet të merren në ditët në vijim. Prania e misionit të KFOR është e domosdoshme dhe do të vazhdoj të jetë e tillë dhe do të jetë e mirëpritur do të jetë e tillë derisa të paktën Kosova të bëhet anëtar i NATO-s”, tha Osmani.
Tutje Osmani tha se secili anëtar i NATO-s duhet ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe.
“Vlerat tona demokratike jo vetëm që po kërcënohen por janë duke u sulmuar. Realiteti i pakëndshëm që është reflektuat në Evropë paraqet këtë që integrimi i Ballkanit Perëndimor ka qenë i fragmentuar kohë pas kohe. Është jashtëzakonisht me rëndësi për secilin anëtarë të NATO që ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Kosova gjithmonë ka qëndruar në anën e duhur të historisë. Gjithmonë. Pa përjashtim”, u shpreh Osmani

(09 :20)

Konjufca: FSK do të kthehet në ushtri moderne e integruar në NATO


Kosova është radhitur “natyrshëm e fuqishëm” në krah të shteteve demokratike duke vënë sanksione ndaj Federatës Ruse pas agresionit ushtarak në Ukrainë. Kështu deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Ai këto deklarata i bëri në hapjen e punimeve të Seminari të 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”.
“Republika e Kosovës natyrshëm dhe fuqishëm është rreshtuar me botën demokratike. Ne si shtet jemi absolutisht të koordinuar me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Federatës Ruse. Ne kuptojmë nëpër çka po kalon populli i Ukrainës si askush tjetër meqë vetë ishim një popull që u sulmua në vendin e vetë nga Serbia e Millosheviqit në vitin 1998.
Edhe Millosheviqi mendonte se Kosova nuk ishte djepi i popullit që jetonte këtu por thoshte se ishte zemra e Serbisë. Ai mendonte që Kosova dhe populli i saj nuk duhej të ekzistonin, njëjtë mendon edhe Putini për Ukrainën”, deklaroi Konjufca.
Konjufca po ashtu tha se Kosova mbetet e përkushtuar për një bashkëpunim të ngushtë me Aleancën Veri-Atlantike.
“ NATO-ja kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e shtetit tonë. Duke u nisur nga gjendja e sigurisë në botë, shtetet që kontribuojnë përmes trupave ushtarake në KFOR po e shtojnë edhe praninë e tyre këto ditët e fundit edhe në Kosovë. Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshëm që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Së bashku do ta kthejmë edhe FSK-në në një ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO-n, aleancën më të fuqishme të shteteve demokratike”, tha Konjufca.
Ndryshe, në takimin treditor të këtij seminari do të diskutohet për sfidat dhe perspektivën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane, mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë./21Media

Back to top button