Daçiq: Kosova ka vota për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Kosova ka një numër të mjaftueshëm votash për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës (KiE), duke pasur parasysh numrin e vendeve në këtë organ që e kanë njohur Kosovën.
“Kur bëhet fjalë për vendet që e kanë njohur Kosovën, jemi në pozitën më të keqe në Evropë”, ka thënë Daçiq në një intervistë për gazetën Politika, duke shtuar se kërkesa për pranimin e Kosovës nuk është aktivizuar në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dhe se Irlanda nuk e bëri këtë gjatë presidencës së saj.
Sipas tij, Kosova në thelb nuk do të kishte të drejtë të jetë anëtare e Këshillit të Evropës sepse siç tha ai  “nuk është bërë anëtare e OKB-së dhe vetëm shtetet mund të jenë anëtare”.
I pyetur nëse Serbia mund të bëjë lëvizje dhe të tërhiqet nga ai organ, kryediplomati serb tha se “është e nevojshme të vlerësohet se cilat janë interesat e Serbisë dhe se Serbia nuk do të pajtohet me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.
“Përveç shtetësisë si kusht formal, ata nuk i plotësojnë fare kushtet politike për të qenë kandidat”, tha Daçiq.

Back to top button