Daçiq: Pa Asociacionin nuk ka diskutim për planin franko-gjerman

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se “nuk do të ketë diskutim për zbatimin e planit franko-gjerman” derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai ka thënë se shpreson që plani franko-gjerman të mos bëhet pjesë e negociatave të kapitullit 35 me Bashkimin Evropian (BE).

“Shpresojmë që të mos arrihet deri te kjo, sepse është në kundërshtim me pikëpamjet e vendeve që nuk e njohin Kosovën. Nëse plani franko-gjerman bëhet pjesë e kapitullit 35 negociues, do t’i bëjë negociatat me BE-në shumë më të vështira”, ka deklaruar ai në një intervistë për Beta.

Kapitulli 35 i negociatave të anëtarësimit ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian përfshin marrëdhëniet me Kosovën.

Në draftin në pritje të miratimit, thuhet se BE-ja do t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian (KE) të ndryshojë kriteret për Kapitullin 35 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë më së voni në janar 2024, që nënkupton përfshirjen e detyrimeve nga marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në kuadrin negociator për Serbinë.

Back to top button