Daçiqi thotë se Von Cramoni po fyen Serbinë

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon po fyen Serbinë.

Von Cramon të shtunën u shpreh se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po bën blof duke kërcënuar se do të largohet nga Këshilli i Evropës nëse pranohet Kosova.

“Niveli i paturpësisë me të cilin disa politikanë evropianë i drejtohen Serbisë është i habitshëm. Kush dhe çfarë i jep të drejtën Viola von Cramonit të fyejë Serbinë, presidentin Aleksandar Vuçiq dhe popullin serb. Askush e pyet dhe askush nuk e kritikon”, ka thënë Daçiq, shkruan “Danas”.

Sipas tij, pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte precedent dhe shkelje e rëndë e parimeve mbi të cilat mbështetet kjo organizatë, sepse “Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe as anëtar i Kombeve të Bashkuara”.

“Na kanë gënjyer se kusht për Kosovën do të jetë formimi i Asociacionit dhe në vend që të dënohet Prishtina, tash duhet të shpërblehet me pranim në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar Daçiq, duke shtuar se politika e jashtme e Serbisë është krejtësisht e pavarur.

Edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, e dënoi gjuhën e Von Cramonit.

Back to top button