DASH-i-Qeverisë: Veprimet e pakoordinuara rrezikojnë mundësitë që e ndihmuam t’i krijojë
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Matthew Miller ka paralajmëruar se veprimet e fundit të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës mund të rrezikojnë mundësitë që vendi ka krijuar me ndihmën e ShBA-së.
Në një konference për media, Miller u pyet nga një gazetare serbe nëse do të ndërmerren masa kundër kryeministrit Albin Kurti për “shkelje të vijave të kuqe.”
Ai refuzoi të spekulonte mbi veprimet e mundshme në të ardhmen, por theksoi shqetësimin e ShBA-së lidhur me vendimet e fundit të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës.
“Besojmë se këto vendime rrezikojnë mundësitë që e kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë,” tha Miller.
Ai gjithashtu nënvizoi partneritetin e fortë që ShBA-ja ka pasur me Kosovën që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, dhe inkurajoi qeverinë e Kosovës të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë.
“ShBA-ja e ka mbështetur fuqishëm integrimin e plotë të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar si një demokraci sovrane e multietnike,” deklaroi ai.