Kaloni te përmbajtja kryesore

Një grua e fuqishme si Vasfije Krasniqi, kthehet pas shumë vitesh në vendin ku përjetoi tm*rrin

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka ndarë një rrëfim prekës në Facebook, duke treguar se pas shumë vitesh është rikthyer në një nga vendet ku përjetoi krimin që, siç thotë ajo, ia ndryshoi jetën përgjithmonë.

Në postimin e saj, Krasniqi-Goodman shkruan se është kthyer në shtëpinë ku, si një vajzë 16-vjeçare, përjetoi për herë të dytë tmerrin e dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Ajo tregon se shtëpia e parë ku ndodhi krimi nuk ekziston më, por kjo shtëpi ende qëndron. Megjithatë, tha se nuk ka mundur të hyjë brenda saj pasi dikush ishte në oborr duke punuar.

“Doja të hyja në dhomën ku ndodhi krimi, në dhomën ku mbetën të varrosura britmat, frika dhe pafuqia e një vajze të re. Nuk munda. Në oborr ishte dikush duke punuar. Qëndrova jashtë dhe bëra vetëm një fotografi”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas saj, për të tjerët mund të jetë vetëm një vend, por për të ai mbetet një pjesë e errët e historisë së saj personale.

“Është një vend ku më morën pafajësinë, sigurinë dhe një pjesë të shpirtit tim”, shprehet Krasniqi-Goodman.

Ajo thekson se nuk është kthyer aty për të kërkuar mëshirë, por për të parë me sytë e saj se vendi ende ekziston, ndërsa ajo vazhdon të jetojë me pasojat e asaj që ndodhi brenda këtij objekti.

“Dhe sot, më shumë se kurrë, zemra ime ndihet e thyer”, përfundon rrëfimin e saj e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button