Daul në Prishtinë për ta përkrahur Hotin dhe koalicionin e LDK-së

Në Bruksel Hoti do të raportojë në Komisionin Evropian për programin e reformave ekonomike

Kandidati për kryeministër i LDK-AKR-Alternativa, njëherësh ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë në Bruksel se Presidenti i partive Popullore Evropiane, Jopseph Daul, do të vjen në Prishtinë për t’ju bashkuar fushatës së LDK-së dhe partnerëve të koalicion për fitore në zgjedhjet e 11 qershorit.

Këto komente Hoti i bëri nga Brukseli pas takimit me Presidentin Daul, i cili drejton PPE, grupin më të madh politik në Parlamentin e BE-së.

“LDK është pjesë e Partive Popullore Evropiane dhe Presidenti Daul shprehu mbështetje të fuqishme për LDK-në dhe koalicionin që kemi formuar. Daul do të jetë në hapje të fushatës në Prishtinë për të mbështetur qëllimin dhe kauzën që ka LDK dhe koalicioni i djathtë. Ne ndajmë vlera të përbashkëta me Partitë Popullore Evropiane, siç që janë zhvillimi ekonomik i bazuar në sektorin privat, integrimet evropiane, sundimi i rendit dhe ligjit dhe çështjet e tjera që janë në linjë me parimet e partive popullore evropiane”, ka thënë Hoti.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Hoti në cilësinë e ministrit të Financave do të raportojë në Komisionin  Evropian për programin e reformave ekonomike. Ky është viti i tretë me radhë që Qeveria e Kosovës e prezanton këtë raport.

“Programi ekonomik që do të prezantojmë në Bruksel ka gjeneruar rritje ekonomike trefish më të lartë dhe ky program është vlerësuar shumë lartë në dy vitet e kaluara nga Komisioni Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Përveç raportimit ne do të kërkojmë nga Komisioni Evropian që të përkrahë reformat ekonomike që do të vazhdojë Qeveria e Kosovës, e cila sërish do të drejtohet nga LDK”, ka thënë Hoti./21Media

Back to top button