Debat i ashpër në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Rusia bllokon rezolutën kundër Koresë së Veriut

Rusia ka pamundësuar Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të dënoi Korenë e Veriut, për shkak të testeve më të reja raketore të zhvilluara nga ky vend. Kjo ndodhi edhe përkundër faktit se rezoluta për të dënuar Penianin u mbështet edhe nga Kina, përndryshe një prej aleateve kryesore të Koresë së Veriut.

Rezoluta e propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkonte nga Peniani që të përmbahet nga testet e reja të raketave bërthamore apo balistike. Sipas disa diplomatëve në Këshill të Sigurimit, Moska kërkoi përmirësimin e disa elementeve të tekstit, respektivisht që të nënvizohet nevoja që zgjidhje të gjendet me dialog,transmeton rtv21.tv

Disa diplomatë, të cilët deshën të mbetën anonim, pranuan se janë të befasuar me bllokadën ruse të rezolutës, përkundër faktit se teksti u mbështet nga Pekini, i cili zakonisht del në mbrojtje të Penianit në raste të këtilla. Megjithatë, përfaqësia e Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara mohoi lajmin se Rusia ka bllokuar rezolutën, duke qartësuar se në rezolutën e propozuar ka pasur një varg formulime të pa-artikuluara dhe se delegacioni amerikan pa asnjë shpjegim ka ndërprerë punën në përmirësimin e dokumentit dhe ka fajësuar Rusinë për bllokimin e rezolutës.

Gjatë seancës, ambasadorja amerikane, Niki Hejlli, i dërgoi një porosi Penianit, duke theksuar se Uashingtoni nuk dëshiron grindje dhe i bëri thirrje Koresë së Veriut që mos të filloi një grindje të këtillë. Bllokada ruse në Këshilin e Sigurimit pasoi vetëm një javë para seancës së Këshillit të Sigurimit kushtuar Koresë së Veriut, e cila do të kryesohet nga sekretari amerikan i shtetit, Reks Tillerson, pasi që siç dihet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kryesues i radhës i Këshillit të Sigurimit gjatë këtij muaji. Tillerson më herët deklaroi se Uashingtoni është duke kërkuar rrugë për të shtuar trysninë ndaj Koresë së Veriut, për shkak të programit bërthamor të vendit. Në anën tjetër, zëvendës-presidenti amerikan, Majk Pens, i cili po vazhdon turneun e tij nëpër Azi, tha se Koreja e Veriut do të përballet me një reagim të ashpër, nëse ndërmerr ndonjë sulm dhe e cilësoi Penianin si kërcënimin më të madh për sigurinë e rajonit./21Media

Back to top button