Debat për grevën, opozita me kritika ndaj qeverisë

Debati mbi grevën në arsim solli sërish përplasjet ndërmjet opozitës dhe Kryeministrit Kurti dhe deputetëve të shumicës në Parlament. Kryetariu i PDK-së, Memli Krasniqi, i tha kryeministrit se vendi është në rrezik për t’u bllokuar jo vetëm në arsim.
“Si opozitë po i them o burrë lëviz bre pak, se s’po i them o vëlla se po nervozohet – po lëviz pak o njeri bëni dy hapa. Kjo o arrogancë, diktat ja qysh them unë, ja hiç. Nuk është problemi vetëm me arsimin, problemi është më i madh”, ka thënë ai.
Por kryeministri Kurti duke folur për termin “vëlla”, për të cilin kishte kritikuar kryesindikalistin, Rrahman Jasharaj, pas takimit me të, tha se duhet ndarë sfera publike dhe ajo private. Tha se ka dy vëllezër që nuk kanë shkelour në Qeveri
“Unë besoj se vëllezërit janë për te shtëpia, ka kaluar koha kur dikush bëhet kryeministër për vëllezër. Prandaj unë natyrisht irritohem kur dikush vjen në zyrën e kryeministrit dhe të thotë ‘vëlla’”, ka thënë Kurti.
Opozita i tha Kryeminstrit se mbi 320 mijë fëmijë kanë mbetur jashtë bankave shkollore dhe sipas tyre mbi 22 ditë të humbura të mësimit vështirë se do të mund të zëvendësohen. Kritike u shfaq deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila i kërkoi Kurtit të gjej zgjidhje dhe jo ta frikësojë popullin me përmendjen e luftës.
“Tash je kryeministër dhe duhet të merresh me punë konkrete. Me qenë kryeministër nuk më kish zënë gjumi duke menduar se çka je duke iu bërë shkollave shqipe”, ka thënë ajo.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami u shpreh e shqetësuar me qëndrimet e kryeministrit Kurti sa i përket grevës.
“Më frikësoi betonimi i kryeministrit me arsyetimet e veta sepse kjo tregon se ne nuk do të kemi dialog. Me një qeveri normale, një shtet normal ne nuk do të kishim kryeministrin në një debat të tillë, por ai duhet të ishte në takime disa ditore me sindikatat e tjera”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se greva në arsim është skajshmërish e politizuar. Ajo tha se në një situatë kur Këshilli Grevist refuzon çdo zgjidhje, është e qartë se po shkelin të drejtën themelore dhe kushtetuese të fëmijëve.
“Nuk munden të mbahen fëmijët në mes deri sa të ndryshon lista e kërkesave vetëm për t’u pamundësuar procesi mësimor”, ka thënë ajo.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala i bëri thirrje Kryeministrit Kurti që ta zgjidh problemin e arsimit.
“Këtu jemi ne që sa vite, prandaj mos kështu, zgjidhje problemin e arsimit se nuk ke lënë tjetër njeri, ke bllokuar gjithçka”, u shpreh ai.
Në debat u inkuadrua edhe ministrja e Arsimit, Arbërije Nagavci e cila tha se mbi 90 për qind e kërkesave janë përmbushur përveç kërkesës për 50 euroshin shtesë.
“Trajtimi i dinjitetshëm i mësimdhënësve bëhet duke i trajtuar ata në ligjin për pagat. E jo marrja e vendimeve për ta në kohë fushatash. E kemi ndarë këtë projektligj me SBASHK-un dhe asnjë reflektim e koment nga ta”, ka thënë Nagavci.
Kryeministri Kurti, ndërkohë, akuzoi opozita po e përdor grevën si një armë kundër tij.
“Hallin këta e kanë që unë jam kryeministër e jo që nxënësit nuk po shkojnë në shkolla. Ky është halli kryesor, greva po përdoret si armë kundër kryeministrit”, ka thënë Kurti.
Debati në Kuvend u vazhdua pas një seance përplasjesh të fuqishme mbi një grevë që ka vazhduar prej afro një muaji në sektorin publik e në veçanti në arsim./21Media

Back to top button