Deklarata e Kurtit për krime të luftës, “ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”

Prokuroria Speciale e Kosovës reagoi ndaj kritikave të kryeministrit Kurti për mungesë të rezultateve për drejtësi për krime të luftës i cili tha se Prokuroria duhet të jetë më aktive e efikase që të sjellë kriminelët para drejtësisë.
Prokuroria tha se komentet e vazhdueshme të kryeministrit për punën e Prokurorisë janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit dhe minojnë besimin e qytetarëve në këtë institucion.

Duke u përgjigjur kritikave të kryeministrit Kurti për rastet e krimeve të luftës, Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se deri më tani ka ngritur 60 aktakuza për krime të luftës për 56 raste ndaj gjithsej 165 personave
Sipas prokurorisë. deklarata e kryeministrit është në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese, duke i bërë thirrje që të shmanget nga kjo qasje.

“Prokuroria Speciale shpreh indinjatë të thellë ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive të kryeministrit Kurti ndaj Prokurorisë Speciale lidhur me rastet e krimeve të luftës. Prokuroria potencon fuqishëm se komentet e vazhdueshme të kryeministrit për punën e Prokurorisë Speciale janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit. Andaj, si të tilla e minojnë besimin e publikut në punën e Prokurorit të Shtetit në përgjithësi dhe të Prokurorisë Speciale në veçanti”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Kryeministri Kurti kritikoi Prokurorinë Speciale për mungesë të rezultateve për drejtësi për krime të luftës, duke thënë se duhet të jetë më aktive e efikase që të sjellë kriminelët para drejtësisë.

“Nga të gjitha masakrat ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat Prokuroria do të duhej t’i kthej në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Republikës dhe popullit i duhen prokurorë aktivë e të mençur dhe gjykatës efikas e të ditur, të sjellin para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës”, tha Kurti.

Monitorues të sistemit të drejtësisë vlerësojnë se deklarata e kryeministrit Kurti është ndërhyrje në punën e organeve të drejtësisë.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se deklarata e kryeministrit Kurti përveç që cenon pavarësinë e sistemit të drejtësisë, përmban edhe pasaktësi.

“Nuk i takon as kryeministrit as dikujt tjetër të jep deklarata të tilla që që cenojnë besueshmërinë e publikut ndaj sistemit të drejtësisë. Ai thotë që janë 5 vjet të gjykimit në mungesë e këtu ka pasaktësi sepse fillimisht kodi që kishte qenë i viti 2011 plotësim ndryshimi i tij ishte dëshmuar që nuk tregon rezultatet e tij në praktike pra kishin qenë norma të vdekura për këtë kjo qeveri përmes kodit të ri të procedurës penale ka ndryshuar dispozitat e gjykimit në mungesë i cili kod ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit të kaluar dhe që deri më tani kemi aktakuza sipas gjykimit në mungesë. Në anën tjetër prokurorisë i mungojnë resurset adekuate për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës mirëpo nuk është një prioritizim adekuat nga vetë prokuroria speciale në trajtimin e këtyre rasteve”, tha për rtv21 Gzim Shala, hulumutes i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Në Fondin për të drejtën Humanitare, ndërkaq, vlerësojnë se organet e drejtësisë nuk kanë bërë sa duhet për rastet e krimeve të luftës, por që aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë janë rritur.

“Përgjithësi nëse marrim gjatë krejt periudhës së pasluftës e deri më tani sigurisht nuk është bërë mjaftueshëm sepse deri më tani janë më pak së 50 persona të dënuar për krime lufte por është i paarsyeshëm reagimi i kryeministrit Kurti, është tentim të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë…mirëpo edhe çështja e gjykimeve në mungesë meqë kjo qeveri ka mundësuar ndjekjen penale të kryerësve të krimeve të luftës në mungesë të tyre përmes ndryshimeve që ka bërë në kodin e procedurës penale që një vit e gjysmë ka progres të dukshëm dhe ka shumë më shumë aktakuza që janë rritur në krahasim vitet paraprake”, tha Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare.

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Kurti jo rrallë herë është kritikuar për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë./RTV21/21Media

Back to top button