Plani i rritjes ekonomike – Kosova s’guxon ta lëshojë këtë mundësi

Kosova është në hartim e sipër të projekteve për Planin e Rritjes, me të cilin BE-ja parasheh gjashtë miliardë euro për Ballkanin perëndimor.
Kosova synon të përfitojë 945 milionë euro. Por, çështja është se normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë është parakusht thelbësor, i vënë nga BE-ja për të dyja shtetet që ato të mund të përfitojnë nga Plani i Rritjes.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi i dërgoi Komisionit Evropian draftin për agjendën e reformave mbi Planin e Rritjes të BE-së, nga i cili Kosova pret të përfitojë rreth 1 miliard euro. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova është e para që ka përmbushur këtë hap, siç tha, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes.
“Hapi i radhës është përfundimi i listës së projekteve. Puna po vijon në negociata dhe konsultime me institucionet e Bashkimit Evropian. Vendi ynë pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë rreth 945 milionë euro, të cilat do të shërbejnë për zbatimin e reformave dhe projekteve investive. Kosova në vazhdimësi po shfaq vullnetin e saj, jo vetëm për integrim të plotë e sa më parë në familjen evropiane bazuar në norma meritokracie, por edhe gatishmërinë në arritjen e standardeve evropiane dhe përmbushjen e reformave të nevojshme”, tha Bislimi.
Ekipi i RTV21 gjatë ditës ka tentuar të marr një përgjigje nga qeveria e Kosovës se cilat janë projektet që Kosova do të paraqes për planin e rritjes të BE-së dhe në çfarë faze është hartimi i projekteve? Por nuk mori përgjigje.
Këshilli i BE-së ka miratuar një plan prej 6 miliardë eurosh për t’i mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim që këto shtete të përafrohen më shpejt me ekonominë e Evropës. Nga kjo shumë, BE-ja planifikon 2 miliardë euro në formë të granteve dhe 4 miliardë të tjera kredi të buta.
Drejtori i Këshillit të investitorëve Evropianë në Kosovë, Emrush Ujkani, thotë se vendi ynë nuk guxon ta lëshojë këtë mundësi.
“Mundësi shumë e mirë me të cilën besoj se Kosova do të përfitoj pasi që kushtet më shumë janë për Serbinë se sa për neve pra besoj se Kosova do të arrijë që të përfitoj nga ky fond pasi që e kundërta nuk guxon që të ndodhë dhe besoj se këto kushtet do të përmbushen sepse plani është bërë në atë formë që shtetet të mos dështojnë, pra besoj që do të përmbushen marrëveshjet”, tha Ujkani për rtv21.
Kosova qëndron shumë mbrapa në raport me vendet evropiane sa i përket ekonomisë e thotë edhe profesori universitar i ekonomisë, Muhamet Sadiku.
Ai mendon se Kosova me plane konkrete do të mund ta arrinte qëllimin të përfitojë nga Plani i Rritjes
“Po rritja konvergjente të cilën po e kërkon BE-ja mund të arrihet ne e dijmë që vendi ynë ka nevojë të investojë si në sektorin e Energjetikes, si në infrastrukturë si në lumenj po thuajse në çdo aspekt”, tha Sadiku për rtv21.
Kosova është kualifikuar nga Komisioni Evropian për të përfituar nga këto fonde me kushte. Kusht për Kosovën janë përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë, e njëjta gjë vlen edhe për Serbinë. E veçanta e kësaj është se asnjëri shtet nuk guxon ta pengojë shtetin tjetër në këtë rrugëtim dhe nëse njëra nga to refuzon përmirësimin e marrëdhënieve diskualifikohet nga ky plan i rritjes./RTV21/21Media